SHPËRNDAJE

Këngëtarët janë pjesë e industrisë që zhvillon më shumë aktivitete në sezone të caktuara, e që njëherësh kanë obligime ndaj shtetit për të hyrat që realizojnë. Por, përkundër kësaj, ka prej tyre që nuk deklarojnë të hyrat, posaçërisht gjatë verës kur ka më shumë mbrëmje muzikore.

Në anën tjetër është ATK që i ka nën llupë ata dhe paralajmëron ndëshkime ndaj atyre që nuk deklarojnë të hyrat.

Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, tha se për të zgjidhur këtë problem dhe në mënyrë që të shmangin humbjet e buxhetit të Kosovës, ATK merr masa ndëshkuese për ata që nuk deklarojnë të hyrat e tyre.

Sipas tij, për të gjetur ata që i shmangen detyrimeve, bëhet krahasimi i të dhënave që marrin nga vendet ku këngëtarët zhvillojnë aktivitete me ato që këngëtarët deklarojnë vetë. Teksa potencoi se sfidë kryesore vazhdon të mbetet qarkullimi i parave kesh te bizneset dhe qytetarët.

Ai tha se gjatë vitit 2017-të ka pasur edhe raste kur këngëtarë të caktuar janë ndëshkuar për mos deklarim të të hyrave që i kanë realizuar nëpër mbrëmje muzikore. Po ashtu, Imeri tha se resurset e ATK-së për vitin 2018 do të orientohen më shumë në pjesë ku ka shmangie të tatimeve.
Ndërkaq ka edhe prej atyre që janë të përgjegjshëm ndaj obligimeve shtetërore.

Këngëtari Hysni Klinaku në një prononcim për KosovaPress bëri të ditur se që nga viti 2009 deklaron me rregull të hyrat nga aktivitetet muzikore. Edhe këngëtarja Edona Llalloshi u përgjigjet pozitivisht obligimeve ndaj shtetit.

Menaxheri i saj Rrahman Llalloshi, përmes telefonit ka treguar se ajo është e rregullt në deklarimin e të hyrave nga profesioni i saj.

/presheva.com/