Ten Hag reagon pas ardhjes së aksionarit të ri: Ata duan të punojnë me mua – Telegrafi

0
44

Erik Ten Hag ka insistuar se ai ndihet i relaksuar për pozitën e tij tek Manchester United, përkundër ardhjes së aksionarit të ri, Sir Jim Ratcliffe, duke thënë se INEOS duan të “punojnë” me të.

Tekniku holandez e ka shprehur entuziazmin e tij për mundësinë për të punuar me aksionarët e rinj, pas njoftimit se Ratcliffe ka blerë 25 për qind të aksioneve të klubit për 1.3 miliardë dollarë.

Ani pse po ballafaqohet me presion të lartë tek United për shkak të mungesës së rezultateve këtë sezon, Ten Hag është optimist për bashkëpunimin e ri dhe ka thënë se mezi pret që të takohen dhe të bisedojnë në ditët në vazhdim.

“Siç thatë, orari është mjaft i ngjeshur kështu që nuk e kam pasur mundësinë për të biseduar me ta, por do ta bëjë dhe mezi po pres. Ata duan të punojnë me mua dhe unë dua të punoj me ata. Ne do të kemi biseda, takime, kështu që do të shohim”, ka thënë Ten Hag.

“Dëgjoni, tani jam i fokusuar tek ndeshjet, Kështu që, siç thashë, për momentin nuk dua të shpërqendrohem, por në ditët në vazhdim dhe javët, do të ketë kohë për këtë dhe do të di më shumë”.

“Mendoj se është një gjë e mirë, diçka shumë pozitive, ne mezi presim të punojmë së bashku. INEOS duan të punojnë me mua, më këtë infrastrukturë dhe unë dua të punoj me ta”, përfundoi ai.

Është raportuar se United nuk mund t’i tregojë derën e largimit Ten Hagut pa lejen e INEOS. Në fakt, çdo vendim sportiv, duke përfshirë transferimet, duhet të miratohen nga grupi i Ratcliffe.

Sidoqoftë, ata po planifikojnë ndryshime rrënjësore në “Old Trafford” diçka që mund të shkaktojë humbjen e vendeve të punës për qindra punëtorë të klubit./Telegrafi/