​Dogana e Kosovës kalon projeksionin buxhetor për 2023 – Telegrafi

0
44

Dogana e Kosovës ka vlerësuar të suksesshëm vitin që po e lëmë pas, duke thënë se ka grumbulluar 1 miliard e 661 milionë euro, ose 135 milionë (mbi 9.5%) më shumë.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Agron Llugaliu tha se përkundër thellimit të lirimeve për prodhuesit dhe zbatimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë, shumë kjo që arrin në 330 milion euro apo 30 milionë më shumë se viti paraprak.

Sipas komunikatës nga Dogana, Llugaliu ka thënë se importi arrin 5.818 miliardë euro apo 5.46% më shumë se 2022, ndërsa eksporti 891 milionë, ndërsa pesha në eksport arrin 874.835 ton ose dy për qind më shumë.

“Në kuadër të lehtësimit të tregtisë e që është një ndër prioritetet e Doganës, gjatë periudhës raportuese është rritur trendi i aplikimit të lirimeve nga pagesa e taksave, lehtësimet e procedurave doganore. Rritja e numrit të dërgesave të importuara përmes portit të Durrësit, 50% më shumë krahasuar me ato 2022, ka ndikuar në rritjen e arkëtimeve përmes këtij porti e njëkohësisht përfitimet në kursime vjetore te bizneseve janë rreth 9 milionë euro përmes zhdoganimit në port nga Dogana e Kosovës”, tha ai.

Duke qenë se tregtia online, e-commerce, po shënon rritje të shpejtë, Dogana ka filluar me aplikimin e procedurave të thjeshtëzuara te dërgesat e shpejta, ndërsa që me Postën e Kosovës është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për përcjellje te dërgesave në adresat e porositësve të mallit.

Luftimi i ekonomisë joformale me efekt në parandalim ka arritur 27.4 milionë euro apo 19.8% më shumë se vitin e kaluar, ngjashëm edhe konfiskimi dhe sekuestrimi mallrave kontrabandë në vlerë 14.5 milionë euro ka shënuar rritje prej 27.4 % krahasuar me 11 milion të konfiskuara në vitin 2022.

Dogana ka shënuar rezultate të rëndësishme në zbulimin e narkotikëve, ku janë parandaluar rreth 110 kilogramë marihuanë, kokainë në sasi të vogla në dy raste të ndara, stimulues të ndryshëm me afat të skaduar, medikamente dhe armë të ndryshme, pesë armë zjarri dhe municioni në sasi 660 copë. Gjatë këtij viti, Dogana e Kosovës ka trajtuar katër raste për pastrim të parave gjithnjë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe në dy raste janë nxjerrë aktgjykime dënuese.

Ministri i Financave, Hekuran Murati falënderoi stafin e Doganës së Kosovës për të arriturat duke theksuar se ka arritur me saktësi projeksionin e paraparë për këtë vit dhe se planifikimi i saktë në tetor 2021 është në harmoni me politikat e gjithmbarshme dhe rezultat i planifikimeve adekuate. /Telegrafi/