“Jepini kohë”, Pochettino e krahason Jacksonin me dy sulmuesit më të mëdhenj në histori të Chelseat – Telegrafi

0
47

Trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino ka krahasuar sulmuesin Nicolas Jakcson me legjendat e Bluve, Didier Drogba dhe Jimmy Floyd Hasselbaink, në tentim për të larguar presionin dhe kritikat ndaj tij.

Jackson ka qenë cak i kritikave nga tifozët e Chelseat dhe mediat angleze pas shënimit të paktë të golave, por trajneri Pochettino i ka dalë në mbrojtje.

“Ne jemi duke u fokusuar shumë te Nicolas Jackson dhe duhet t’i japim atij kohë. Tifozët ishin të mahnitshëm me të”, ka thënë fillimisht Pochettino.

“Sigurisht, ne duhet t’i japim kohë, por ai tashmë ka shënuar. Nuk është se nuk shënon”.

“Nëse ne kontrollojmë në të kaluarën se si sulmues të ndryshëm mbërrijnë në Angli dhe performojnë në sezonin e parë, tani jemi disa muaj në të dhe ai ka shënuar gola si Didier Drogba apo Jimmy Floyd Hasselbaink”.

“Nicolas Jackson është i ri, vjen nga Spanja pasi nuk ka luajtur aq shumë. Ai është një talent shumë i mirë me potencial, por ne po luajmë edhe për Chelsean”.

“Nuk është njësoj si të luash për një klub tjetër”, përfundoi trajneri argjentinas.

22-vjeçari ka shënuar shtatë gola në 18 paraqitje në ligë deri më tani këtë sezon. Ai mbahet mend më shumë për përfundimin e tij jashtëzakonisht të dobët, duke humbur rastet që duken më të lehta për të shënuar sesa për të humbur.

Hasselbaink shënoi 23 herë në 35 paraqitje në ligë në sezonin e tij të parë me Chelsean ndërsa Drogba shënoi 10 gola në 26 ndeshje. /Telegrafi/