Rusia godet qytetet e Ukrainës pasi presidenti Putin u zotua të intensifikojë sulmet

0
30

Zyrtarët ukrainas thanë të martën se Rusia kreu sulme në shkallë të gjerë me raketa që lanë pas vetes të paktën katër të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Kiev dhe Kharkiv.

“Që nga 31 dhjetori, përbindëshat rusë kanë hedhur tashmë 170 dronë ‘Shahed’ dhe dhjetëra raketa të llojeve të ndryshme. Shumica absolute e tyre synonin infrastrukturën civile”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Ai tha se numri i të plagosurve ka arritur në 92 duke theksuar se Ukraina do të punojë me “këdo në botë që e vlerëson jetën” për të forcuar mbrojtjen ajrore të saj dhe për të mbajtur Rusinë përgjegjëse.

“Shteti terrorist duhet të ndjejë pasojat e veprimeve të tij”, tha presidenti Zelenskyy.

 

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se mbrojtja ajrore rrëzoi të gjithë 35 dronët Shahed të prodhuar nga Irani që u hodhën të martën nga Rusia, ndërsa alarmet për sulme ajrore vazhduan me orë të tëra, duke u kërkuar banorëve të strehohen mes sulmeve me raketa.

Kryebashkiaku u Kievit, Vitali Klitschko tha se mbetjet nga një raketë e rrëzuar plagosën të paktën 20 veta dhe shkaktuan zjarr në një ndërtesë shumëkatëshe në kryeqytetin ukrainas. Ai raportoi shpërthime të shumta në qytet ndërsa mbrojtja ajrore iu përgjigj valës së raketave ruse, që shkaktuan zjarre në të paktën pesë lagje.

Breshëria ruse në orët e mëngjesit, ndërpreu gjithashtu energjinë elektrike dhe dëmtoi linjat e gazit në disa pjesë të Kievit.

Në Kharkiv, kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se qyteti ishte nën një “sulm të madh me raketa”. Oleg Sinegubov, shefi i administratës ushtarake në Kharkiv, tha në rrjetin Telegram se sulmet ruse vranë të paktën një person dhe plagosën më shumë se 40 të tjerë. Në Poloninë fqinje, ushtria tha se dërgoi katër avionë ushtarakë F-16 për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore mes sulmeve ruse.

Sulmet e së martës pasuan një paralajmërim nga presidenti rus Vladimir Putin se Rusia do të intensifikonte sulmet ndaj Ukrainës, pas një sulmi vdekjeprurës ukrainas të shtunën në qytetin rus të Belgorodit, që vrau 24 veta dhe plagosi më shumë se 100 të tjerë.

Gjatë një vizite në një spital ushtarak të hënën, presidenti Putin e quajti sulmin e Ukrainës në Belgorod “një akt terrorist”, duke akuzuar forcat ukrainase se kishin shënjestruar “pikërisht qendrën e qytetit, ku njerëzit po ecnin përreth, para natës së Vitit të Ri” dhe pretendoi se ata kishin “goditur qëllimisht popullatën civile”.

Ai tha se Rusia do të vazhdojë të godasë ato që ai i quajti “objektiva ushtarake” dhe shfaqi besimin se “iniciativa strategjike” në konfliktin e zgjatur në Ukrainë ishte në anën ruse. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ruse TASS, presidenti rus tha se Moska dëshironte t’i jepej fund luftës pothuajse dyvjeçare, por, theksoi ai, “vetëm sipas kushteve tona”./VOA


Top Channel