SHPËRNDAJE

Një person 31 vjeçar me shtetësi kosovare i cili ka jetuar pothuaj gjithë jetën në Zvicër por që është dëbuar në Kosovë për shkak të kryerjes së shumë delikteve, njëherë për njëherë nuk do të ketë të drejtë të shkojë në Zvicër, përkundër faktit se ai këtu ka gruan dhe një fëmijë të përbashkët.
Kështu ka vendosur shkalla më lartë e gjyqësisë së Zvicrës, Gjykata Federale me seli në Lozanë.

Kosovari kishte shkuar në Zvicër kur ishte vetëm 6 vjeç dhe me kohë kishte marrë lejen e qëndrimit të përhershëm (Vizën C) në Kantonin St. Gallen.

Por, duke qenë se ai ka shkelur ligjin disa herë, Zyra e Migracionit në vitin 2012 ia kishte refuzuar vazhdimin e lejes së qëndrimit dhe e kishte dëbuar në Kosovë.

Ai, nga viti 2001 deri në vitin 2010 ishte dënuar 9 herë penalisht për vepra të ndryshme penale. Dënimi më i rëndë i ishte shqiptuar në vitin 2007 nga Gjykata e Qarkut Alttogenburg, kur ai qe dënuar për grabitje, kërcënim, përpjekje për detyrim, rrahje, prishje të qetësisë shtëpiake, shkelje të ligjit për armëmbajtje dhe delikte në komunikacion, transmeton albinfo.ch.

Për të gjitha këto vepra penale atij i ishte shqiptuar dënimi me katër vjet burg me kusht dhe me një gjobë prej 2000 frangash.