SHPËRNDAJE

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, deklaroi se Serbia para anëtarësimit të plotë në BE duhet t’i zgjidhë problemet aktuale me fqinjët. Hahn në kuadër të vizitës së tij në kryeqytetin e Serbisë në Beograd u prit nga presidenti i vendit Aleksandar Vuçiç.

Pas takimit në presidencë, në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin serb, Hahn tha se Serbinë po e presin reforma të vështira, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe sundimin e ligjit.

Hahn foli edhe për procesin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, ku përgëzoi Vuçiçin për guximin e treguar për nisjen e procesit në fjalë.

Duke rikujtuar se qëllimi i kësaj vizite ka të bëjë me Strategjinë e Ballkanit Perëndimor të Komisionit të BE-së të prezantuar dje, Hahn tha se viti 2025, i përmendur për anëtarësimin e plotë të Serbisë në BE, “është më shumë një perspektivë se sa një datë e saktë”.

Hahn tha se Serbia duhet t’i zgjidhë problemet me fqinjët duke filluar nga Kosova dhe theksoi se BE-ja do të ndihmojë për këtë çështje.