SHPËRNDAJE

Futbollistët e trajnerët serbë që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri shpeshherë kanë qenë në fokusin e mediave në Serbi. Por, në asnjë rast nuk ka rezultuar që serbët që jetojnë në Shqipëri të jenë ankuar për racizëm apo diskriminim, siç pretendohet rëndom në marrëdhëniet mes dy vendeve. Thuajse të gjithë kanë deklaruar se ndihen të lumtur me jetën që bëjnë në Shqipëri dhe të vlerësuar me punë që bëjnë. Të njëjtën gjë ka pohuar edhe zv.trajneri i Partizanit, Marko Jovanoviç, në prononcimin e tij që ka dhënë për një media serbe, “jugmedia”.
31- vjeçari ka deklaruar se jeton paqësisht në Tiranë dhe në Shqipëri luhet një futboll i mirë. Ja shkrimi për Jovanoviç: “Marko Jovanoviç (31 vjeç) nga Vranja, trajneri me përvojë në futboll, prej një muaj e gjysmë ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me FK Partizani Tiranë, i cili është një prej dy klubeve të mirë në Shqipëri dhe aktualisht një nga klubet më përfituese në Superiore. Ai filloi të punojë me statistikat e analiza dhe, në sajë të të dhënave të tij, kanë funksionuar klubet, si Vojvodina Novi Sad, si dhe për shumë vite punoi te Radnik, për pak kohë ka punuar në Kinë.
Ai ishte zv.trajner te Luftëtari i Gjirokastrës, i cili konsiderohet të jetë një nga klubet më të organizuara në Shqipëri, si dhe zv.trajner në Kukës, skuadra kampione e sezonit të kaluar. Marko është krenar për FK Partizani, ndonëse renditet i gjashti në Superiore (para ndeshjes me Kamzën). “Ndeshjet dhe synimet e klubit në pjesën e parë të kampionatit nuk ishin në nivelin e kërkuar, ndaj Mark Iuliano, ish-lojtari i Juventusit, u shkarkua si trajneri i skuadrës dhe u zëvendësua nga një shqiptar, Sulejman Starova, me të cilin unë jam zv.trajner”, u shpreh Marko, që së bashku me stafin po kryejnë një punë të madhe stërvitore, kryesisht në aspektin fizik.
Kryen analiza dhe strategjitë e lojës, tregon mungesat. Por, sipas tij, puna e tij nuk është thjesht një rreth i mbyllur. “Tani po vazhdojmë me ndeshje konkurruese dhe shpresojmë për rezultate dhe lojëra të mira, si dhe arritjen e qëllimeve të klubit, që është pjesëmarrja në Ligën e Europës. Vitin e kaluar, klubi solli Luçiano Moxhin nga Italia, i cili bëri epokën te Juventus dhe aktualisht kryeson klubin”, thekson Marko. Në Shqipëri, ai ka ndërtuar tashmë një reputacion si një trajner i mirë referuar me punën dhe rezultatet e tij të më- parshme.
“Nuk kam pasur probleme deri tani. Ata me të vërtetë më respektojnë dhe ndihem rehat këtu. Pjesën më të madhe të kohës e kaloj me trajnerin e përgatitjes fizike, italianin Korado Sakone, i cili punon për Partizan, pas 10 vitesh në Napoli. Ky është njeriu prej të cilit po mësoj shumë, i cili ka punuar me trajnerë të tilla si Benitez, Manzano …”, shpjegon Marko, duke shtuar se ai ishte i kënaqur kur është fjala për financat, të cilat janë disa herë më të larta se sa në Serbi. Cilësia e futbollit në Shqipëri, shpjegon ai, është në të njëjtin nivel si në vendin tonë (Serbi).

“Është fakt tashmë se ata janë në një rritje shumë të lartë. Liga është shkurtuar në dhjetë klube, të luajtur nga një sistem me katër faza. Kjo të lë të kuptosh se katër skuadra luftojnë për titullin e kampionit dhe pjesa tjetër për të siguruar mbijetesën në kampionat. Gjithçka është e rregullt. Cilësia po shtohet nga trajnerët që drejtojnë dhe lojtarët që luajnë në këtë kampionat”, thotë Marko. Ai komunikon me lojtarët dhe menaxhimin e klubit kryesisht në anglisht.

“Unë jam në Shqipëri prej dy vitesh, por nuk e kam zotëruar gjuhën e tyre. Tirana është, mbi të gjitha, një qytet i bukur dhe i denjë për të jetuar. Rreth 30,000 serbë aktualisht jetojnë dhe punojnë këtu. Jam veçanërisht i kënaqur, që Milan Kulum, një ish-lojtar i Radnikut, i është bashkuar klubit”, thotë bashkëbiseduesi ynë, qëllimet e të cilit aktualisht janë të lidhura me FK Partizani dhe dëshira për të provuar fitimin e titullit kampion në sezonin e ardhshëm. “Shumë italianë jetojnë këtu, kështu që shqiptarët kanë adoptuar stilin e tyre të veshjes dhe sjelljes. Disa qytete në bregdet janë pothuajse identike me qytetet italiane”, përfundon Marko.