SHPËRNDAJE

Njëri prej njerëzve kryesor të Ramush Haradinajt ka thënë se as në këtë fazë dhe as në faza tjera nuk do të ketë shkëmbim të territoreve dhe as ndarje të Kosovës. Burim Ramadani ka thënë se ide të tilla janë balona testues të Serbisë.

Ndërkohë, Këshilltari i Hashim Thaçit, Bekim Çollaku ka thënë se në këtë fazë ideja e shkëmbimit të territoreve është spekulim.

“As në këtë fazë dhe as në fazat tjera, ndarja apo shkëmbimi i territoreve absolutisht nuk janë opsion”, kjo është përgjigja e Burim Ramadanit, njërit prej këshilltarëve kryesor të Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ky reagim i Ramadanit ka ardhur pas deklaratave të Bekim Çollakut se në këtë fazë është vetëm spekulim ideja e shkëmbimit të territoreve.

Ramadani nuk e ka përjashtuar mundësinë që dikush në Kosovë të përkrahë një ide të tillë. Por, ka thënë se të tillët nuk e përfaqësojnë zgjidhjen demokratike dhe as të vërtetën e Kosovës.

“Mund të ketë mendime që përkrahin ndarjen territoriale, por janë të papranueshme, sepse as nuk janë zgjidhje demokratike dhe as nuk përfaqësojnë të vërtetën e Kosovës”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë, Burim Ramadani ka thënë se ideja për ndarje territoriale apo shkëmbin territoresh është modalitet i shekujve të kaluar.

“Rivendosja e këtij projekti në këtë periudhë, pra para fazës finale të bisedimeve, është kryesisht “balonë testuese” e Serbisë ashtu sikurse ka bërë edhe në fazat e kaluara, ndërsa askush në Kosovë nuk do të duhej ta merrte si opsion”, ka thënë Ramadani, për Express, të dielën.

Ky zyrtar i Qeverisë ka thënë se qëndrimi i Ramush Haradinaj është i qartë. S’ka ndryshim të kufijve.

“Sikurse ka thënë pak ditë më parë Kryeministri Haradinaj, kufijtë në Ballkan janë vendosur me luftëra dhe tragjedi, prandaj prekja e kufijve sjellë tragjedi të reja. Kryeministri Haradinaj e ka bërë të qartë këtë, në të gjitha nivelet e komunikimit publik”, ka shtuar ai.

Sipas Ramadanit, ide të tilla për opsione jashtë asaj të kompletimit të Shtetësisë janë kundër Kosovës.

“Kompletimi i shtetit, arkitekturës së tij, funksionalizimit të plotë dhe hapat e shpejtë në integrimet euro-atlantike janë përgjigja më e mirë dhe më e qëndrueshme për idetë e vjetra të elitës së vjetër politike të Serbisë mbi gjetjen e “zgjidhjeve tjera”, qofshin ato territoriale, qofshin ato “ndryshim kushtetutash”. Sigurisht, kompletimi i shtetësisë i jep fund pretendimeve që “Kosova nuk është çështje e përfunduar”. Synimi për të konsoliduar dhe kompletuar të gjitha hallkat e sistemit politik e juridik të Kosovës është i orientuar drejt stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”, ka shtuar ai.

Edhe Këshilltari tjetër i Kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi, ka thënë se Shefi i Qeverisë asnjëherë s’ka qenë pjesë e bisedimeve të tilla. Madje, ka thënë se janë të pavërteta, qëllimkëqija dhe çmenduri të mendohet përfshirja e Haradinajt në skenarë të tilla.

“Kushdo që thotë apo dyshon që Ramush Haradinaj është pjesë e çfarëdo bisedimesh apo marrëveshjesh për ndarjen e Kosovës janë të pavërtetë dhe qëllimkeqe dhe i çmendur”, ka thënë Arifi.

Në Presidencë kanë thënë se është herët të flitet për përmbajtjen e marrëveshjes që do të arrihet me Serbinë. Madje, kanë thënë se në këtë fazë edhe ideja e shkëmbimit të territoreve është vetëm spekulim.

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kishin thënë se në këtë fazë është spekulim çdo ide që çon në shkëmbim të territoreve me Serbinë. Por, nuk kishin mohuar nisjen e bisedave joformale me palën serbe për këtë ide.

Sidoqoftë, Bekim Çollaku ka thënë se marrëveshja historike me Serbinë duhet t’i garantojë Kosovë anëtarësim në OKB dhe integrim euro-atlantik.

Ndërkohë, gazetari Berat Buzhala ka shkruar se Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Ali Ahmeti kanë biseduar për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Ka sqaruar se një skenar i tillë do të vlejë vetëm për ndryshimin e kufijve të Kosovës por jo edhe të vendeve tjera ballkanike.

“Presidenti Thaçi, Kryeministri Rama dhe Kryetari i BDI’se Ali Ahmeti, kane biseduar ne Tirane për ndarjen e Kosovës, per vizatimin e kufijve ne Ballkan, e per idiotesi te tilla te ngjashme. Nje gjë e tille, nje skenar i tille, nuk do te ndryshoje kufijte a as nje shteti, perveç kufijve te Kosovës”, ka shkruar Buzhala, në një postim në Fb, duke cituar edhe Zëvendëskryeministrin e Austrisë, i cili ka propozuar një autonomi për Veriun e Kosovës.

Të premten mbrëma u raportua se klasa udhëheqëse në Kosovë, nën orkestrimin e Presidentit Hashim Thaçi, pasi dështoi ta zhbëjë Tribunalin Special, e ka filluar një aventure të re, po aq të rrezikshme, po ashtu të dyshimtë: ndarjen e Kosovës me Republikën e Serbisë. Kuptohet, kjo ide fillimisht do të provohet të kontrabandohet në opinion si këmbim i territoreve.

Edhe Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ka thënë se ndryshimi i kufijve s’mund të bëhet pa tragjedi dhe humbje të jetëve të njerëzve. Ka thënë se ndryshimi i kufijëve apo shkëmbimi i territoreve pashmangshëm sjell edhe luftëra të reja dhe po propozohet nga aventurierë politikë.

Sipas profesorit të UP’së, Milazim Krasniqi,nuk do të ketë shkëmbim paqësor territoresh, por do të ketë vetëm vetëm skenar sirian, me Rusinë si arbitër kryesor

Në të njëjtën frymë, për të njëjtin skenar për ndarje dhe shkëmbim territoreresh, është shprehur ditë më parë edhe Aleksander Vulin, Ministër i Mbrojtjes së Serbisë. Ai ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi, “nuk është duke dhënë rezultate, andaj duhet të kërkohet një marrëveshje për ndarjen e Kosovës”.

Ndërkombëtarët besojnë që në këtë lojë është i përfshirë edhe Kryeministri Edi Rama, duke shfrytëzuar kontaktet e tij direkte me Presidentin serb Vuçiq. Një gjë e tillë, një komunikim i tillë, direkt me Tiranën vazhdimisht ka qenë edhe pjesë e strategjisë serbe. Edhe gjatë kohës kur në Serbi ka qanë në pushtet Sllobodan Milloshevic ka ekzistuar ideja që për Kosovën të bisedohet vetëm me Shqipërinë – kuptohet për ta ndarë Kosovën.

Kosova dhe Serbia kanë mbajtur tri raunde bisedimesh prej vitit 1999. Në kohën e luftës ishte organizuar Konferenca e Rambouillet për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumenti ishte nënshkruar vetëm prej palës kosovare derisa serbët kishin refuzuar duke i hapur kështu rrugë bombardimit 78 ditor të NATO’s mbi caqet ushtarake e policore serbe.

Pasluftës, kishte nisur edhe një proces negociator, ku ishte caktuar Vjena si vend ku takoheshin kosovarët dhe serbët. Marti Ahtisaari ishte caktuar ndërmjetës kryesor duke propozuar pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.

Një proces i tretë dialogues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2010 me ndërmjetësim të Brukselit dhe mbikëqyrje të SHBA’së. Ende nuk ka një rezultat final prej këtij procesi.