Frika e një sulmi tjetër nga Hamasi, gazetarja izraelite e lajmeve mban një armë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në studio – Telegrafi

0
37

Një gazetare izraelite e lajmeve është parë duke mbajtur një armë teksa ishte në një transmetim të drejtpërdrejtë – teksa prezantonte nga studioja – nga frika e një sulmi tjetër të Hamasit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Lital Shemesh, një prezantuese për transmetuesin izraelit të krahut të djathtë Channel 14, u fotografua të martën e ulur prapa tavolinës së saj me një armë në brezin e pantallonave të saj.

Arma e Shemesh është pranë mikrofonit të saj, ndërsa ajo është ulur në buzë të karriges së prezantueses.

Ndryshe, në një postim të saj të fundit në rrjetet sociale ishte shfaqur duke ushtruar aftësitë e saj të të shtënave në një poligon armësh.

Ajo postoi gjithashtu disa foto të saj duke raportuar nga vijat e frontit si dhe me uniformën e saj ushtarake.

Gazetarja dhe rezervistja e Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF) ka folur më parë për luftimin e Hamasit.

“I gjithë vendi po rekrutohet për të luftuar këtë luftë kundër terrorizmit, për të luftuar këtë luftë kundër Hamasit”, tha Shemesh për Fox News menjëherë pas sulmit të 7 tetorit.

“Ne nuk kemi parë një masakër si kjo në Izrael në 75 vitet e ekzistencës së Izraelit. Ky është një holokaust i dytë për ne”.

Veprimi i saj vjen pasi frika për një ofensivë tjetër të Hamasit është rritur pasi grupi vrau 1,140 njerëz, shumica prej tyre civilë, gjatë sulmit të tyre të 7 tetorit, sipas një raporti të bazuar në shifrat zyrtare izraelite. /Telegrafi/