Totaj: E pa arsyeshme shkëputja e koalicionit qeverisës nga AAK-ja në Prizren – Telegrafi

0
36

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, e vlerëson të paarsyeshme shkëputjen e koalicionit qeverisës nga AAK-ja në Prizren. Ai tha se ka kërkuar ndërrimin vetëm të një drejtori nga partneri në qeverisje. 

Kërkesa e për ndërrimin e një drejtori ka rezultuar me dalje nga koalicioni. Kështu sipas kryetarit të komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka ndodhur prishja e partneritetit qeverisës mes PDK-së që është në pushtet dhe AAK-së që ishte në koalicion qeverisës.

Totaj tregoi për media se cilat kanë qenë kërkesat e AAK-së.

“Ata kanë kërkuar largimin apo zëvendësimin e dy drejtoreshave. Mirëpo shikoni, zëvendësimi i drejtorëve nuk bëhet në bazë të kërkesës, por bëhet në bazë të performancës, dhe atë përformancë e vlerëson kryetari i komunës. Unë e kam vlerësuar se drejtoresha e shëndetësisë e ka performancën e dobët, përveç asaj, si kriter sekondarë është se ajo është edhe motra e kryetarit të degës”, tha Totaj, njofton rtk.

Totaj theksoi se ndryshimet e drejtorëve duhet të shihen si mundësi për përmirësim të qeverisjes.

“Prandaj kemi konsideruar se është një mundësi për reflektim, si dhe përmirësim të performancës së drejtorisë dhe komplet të qeverisjes lokale. Drejtoresha e emergjencave e ka pas një performancë solide, ndërsa drejtori i mirëqenies sociale e ka pas një performancë shumë të mirë”, tha ai.