Sivjet ekonomia e Kosovës sfidohet nga mungesa e fuqisë punëtore – Telegrafi

0
56

Sfidat e ndryshme të cilat e përcollën ekonominë e vendit gjatë 2023-s, parashihet se do ta përcjellin edhe sivjet. Kështu të paktën vlerësojnë njohës të ekonomisë dhe deputetë të opozitës. Sipas tyre, ekonomia zor se mund të dalë nga kriza gjatë këtij viti. Por, optimistë se do t’ia dalin janë deputetët e partisë në pushtet.

Kriza ekonomike vlerësohet se do të jetë kryefjala e zhvillimeve të cilat do ta përcjellin vendin gjatë këtij viti.  Kështu të paktën thonë njohës të kësaj fushe dhe deputetë të opozitës, sipas të cilëve, mungesa e fuqisë punëtore, projekteve të reja e investimeve, do ta rëndojnë gjendjen në këtë sektor.

“Viti 2024 do të jetë vetëm një vazhdimësi e sfidave me të cilat është ballafaquar Kosova gjatë vitit 2023. Agjenda politike do të jetë dominante falë dialogut dhe presionit ndërkombëtar. Sektori privat do të ketë sfidat e veta sa i përket mungesës së fuqisë punëtore dhe vetë fakti që kemi një buxhet i cili është më tepër i natyrës sociale se sa zhvillimore jep një paralajmërim se viti 2024 mund të jetë vit zgjedhor”, ka theksuar Safet Gërxhaliu, njohës i fushës së ekonomisë.

Deputetja nga radhët e shumicës, Jeta Statovci, shprehet se do të mbështesin të gjitha projektet të cilat janë të rëndësishme për qytetarët.

“Në momentin që do të ketë projekte të mira dhe vitale, natyrisht se e kanë gjetur dhe do të gjejnë mbështetjen”, ka thënë ajo.

Nga opozita mendojnë se qeveria ka dështuar në realizim të projekteve.

“Sigurisht që kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë tek jeta e qytetarëve sepse ata nuk do të kenë mundësinë që të rregullojnë infrastrukturën parësore qysh janë rrugët, spitalore e shkollore. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre”, ka theksuar për RTK, Mërgim Lushtaku, deputet i PDK-së.

Kurse, Albana Bytyqi, deputete e AAK-së ka theksuar se 90% të projekteve janë të bartura nga viti 2022-2023.

“Për shembull e kemi komunën e Suharekës ku nuk kemi asnjë projekt të ri, kemi edhe komunat tjera. Në Suharekë në komunën nga ku unë vij kemi të ndara vetëm 100 mijë euro për ndërtimin e stadiumit”, ka thënë ajo.

Sipas Institutit GAP, 83% e shpenzimeve kapitale për këtë vit janë për vazhdimin e projekteve të mëhershme, ndërsa 17% për projekte të reja.

Nga Banka Qendrore e Kosovës parashikojnë që rritja ekonomike për vitin 2024 do të jetë 4.2 për qind, nga 3.4 sa ishte vitin e kaluar.