Vetëvrasja e nënës së 4 fëmijëve, reagon Spiropali: Nevojë për ndërhyrje urgjente, dënim maksimal…

0
34

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka dënuar dhunën dhe bullizmin në rrjetet sociale pas rastit të rëndë të raportuar në Durrës, ku një nënë e 4 fëmijëve vrau veten pas postimeve denigruese në TikTok.

Teksa shprehet se autorët duhet të marrin dënimin maksimal, Spiropali thotë se duhet nërhyrje urgjente në gjuhën e denigrimit dhe dhunës në rrjetet sociale.

“Një grua 41 vjeçe, nënë e katër fëmijëve, raportohet se vrau veten për shkak të denigrimit dhe bullizmit në rrjete sociale.
Ky rast tmerrësisht i rëndë kërkon drejtësi! Dënimi maksimal i autorit ose autorëve për shkaktim/nxitje të aktit të vetvrasjes është më e pakta që duhet të ndodhë! Është momenti të ndërgjegjësohemi se gjuha e denigrimit dhe e dhunës në rrjete sociale prek në mënyrë shproporcionale gratë dhe vajzat, ushqehet nga kultura e dhunës patriarkale që i izolon gratë në këndin e “turpërimit” kolektiv duke u sjellë trauma të rënda individuale, familjare dhe shoqërore. Gjuha e poshtërimit dhe e denigrimit të grave gjendet rëndom në median vizive, të shkruar dhe online, ku sulmet kalojnë pa u analizuar dhe pa u dënuar nga ligji dhe shoqëria. Denoncimet për krime kibernetike dhe kërcënime online duhet të trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet ligjzbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë. Legjislacioni për mediat online, krimet kibernetike, kodi penal etj, kanë nevojë për ndërhyrje imediate që kultura e shpifjes dhe e denigrimit të luftohet pa asnjë rezervë nga ligji dhe të mos kthehet në normalitet shoqëror. Ngushëllime familjes së të ndjerës! U prehtë në paqen që nuk e lejuan të kishte në jetë!”, shkruan Spiropali.


Top Channel