SHPËRNDAJE

Shkruan: Arber Pajaziti*

Po flitet përreth nesh, e ne po bëhemi të shurdhër. Jemi bërë objekt i debateve televizive, i temave të gazetave, ndoshta edhe i agjendave në nivele të larta, kurse ne as që po pyetemi e ndoshta vetvetvetiu, as që po dëshirojmë të jemi ndonjë faktorë relevant.
Po dëgjojmë se po “ këmbehemi “. Bile gjithnjë e më zhurmshëm. Rama-Vuçiq-Thaçi, po flasin për ne, e në emrin tonë. A ka këtu të vërteta? Ndoshta po, e ndoshta jo ?!
Derisa këto muhabete po sillen rreth e për qark nesh, “ Status Quoja “ në Luginë është evidente. Por, mbase po bëhemi edhe më keq.
Jeta e përditshme e një qytetari të thjeshtë po merrë teposhtëzën.
Gati se një gjeneratë e tërë u lind dhe u rrit, disa tjera u plakën e shumë të tjerë u ndanë nga kjo jetë duke u ballafaquar me një refren të problemeve: Nxënësit pa tekste, diplomat e panostrifikuara, indkuadrim joadekuat në organet shtetërore, mungesë investimesh,papunësi e madhe, dhe shumë e shumë preokupimesh tjera me të cilat vështirsohet një jetë normale, dhe çështë më e keqja, këtë rajon e bëjnë të pashpresë dhe të paperspektivë.
Është plotësisht evidente se faktorë numër një për situatën në të cilën ndodhemi është shteti të cilit i përkasim. Një shtet i cili historikisht neve si popull na ka trajtuar sipas parimit “ nxehtë-ftohtë “.
Një trajtim i tillë po vazhdon akoma. Në shikim të parë i butë kurse epilogu përfundimtar tejet i egër.
Epilogu i tillë është gjendja në të cilën ndodhemi dhe tendenca e përkeqësimiut. Kjo e fundit, assesi me metoda të egra si në kohën e Millosheviqit, por mbase shumë më të përsosura, në dukje të buta e me efekt afatgjat.
Faktori i dytë i gjendjes tonë, Shqipëria e Kosova. Shumë kemi shpresuar e gati se ngelëm të dëshpruar plotësisht. Të dyjat me hallet e veta e me takat të imët.
Dhe sikur dy faktorët e mësipërm të ishin të mangët, vie edhe ai i treti. Vet ne.
Ku jemi ne, çfarë po bëjmë ne ? Mos vallë pasiviteti ynë po i ndihmon dy faktorëve të parë që mos të lëvizin vendin ?
Fatkeqësisht, po, dhe e vërtetë.
Në çdo fushatë, të çdo niveli zgjedhjesh, gojët tona janë përplot premtime dhe punë 24 orëshe, duke krijuar një përshtypje se nuk do të kalojë as gjysma e mandatit dhe punët tona do të rregullohen siç është më së miri.
Konsolidimi nëpër nivele pushtetesh pastaj na bënë që t’i shkruajmë nja 2-3 letra nëpër instanca të ndryshme, t’i ankohemi 2-3 ambasadorëve të cilët na bëjnë vizita kur s’kanë agjendë tjetër, dhe të presim duke e ripërsëritur mantrën e famshme se “ Serbia se ka çare pa i realizu kërkesat tona se s’mund të behët pjesë e BE-së “.
Kemi harruar edhe këtu të vërtetën e madhe se problemet e shqiptarëve të Luginës krahas rrugës integruese Serbi-BE janë si dy pika uji në oqean.
Dhe kjo mund të mbetet e tillë derisa ne të vetëdijësohemi dhe një pjesë të punës e cila varet plotësisht nga ne ta kryejmë me përkushtim. Për t’ia nisur së mbari duhet hequr dorë nga diçka me të cilën identifikohemi prej kohësh, inatet. Qofshin ato personale, grupore apo politike inatet janë pengjet tona.
Kemi harruar kur është takuar pozitë e opozitë për të diskutuar një çështje që i përket elemenetit kombëtar. (Këtu bëjnë përjashtim Kuvendet Komunale të cilat kanë karaktere tjera dhe merren me përditshmëri, dhe ato duhet të jenë në shërbim edhe të serbëve, romëve dhe gjithë qytetarëve tjerë brenda një komune.)
Madje, është harruar dhe nuk e di a është mbajtur ndonjë forum ku përveç politikanëve, të jenë të ftuar intelektual profilesh të ndryshme, njerëz të botës së kulturës, historisë, biznesit, etj, për të diskutuar apo marrë vendim për ndonjë çështje të caktuar.
Kemi harruar fjalën Protestë e mos të flasim organizimin e tyre.
Po padëgjueshmërinë qytetare e kemi shqyrtuar ndonjëherë? Po të bllokojmë ndonjë rrugë apo të ndërmarrim ndonjë veprim tjetër që është plotësisht demokratik e kemi trajtuar si opsion ndonjëherë ?
Lugina është e vogël dhe me pak njerëz. Unifikimi është mëse i domosdoshëm. Nuk do të ketë efekt nëse Bujanoci vepron në veti, Presheva ashtu , përfshirë edhe Medvgjën, së cilës, për fat të keq i ka mbetur vetëm emri. Kjo do duhej të vlej edhe për partitë politike, organizatat joqeveritare dhe profilet tjera të jetës shoqërore.
Ditët tona janë të numëruara, dhe ky numërim tashmë ka nisur mbrapsht. Nëse di dikush ndonjë formulë tjetër në raport më Serbinë le ta thotë. Bile edhe formulat eventuale i kemi të mangëta ku t’i themi e paraqesim. Andaj, është koha të veprojmë. Në të kundërtën, vendbanimet tona do të mbesin vetëm toponime…

*Autori është kryetar i APN-së, dega Bujanoc