SHPËRNDAJE

Shkruan: JAKUP KRASNIQI

Politika e Serbisë përmes Daciqit, jo për herë të parë po e kërkon një Asociacion, Bashkësi të komunave serbe në Kosovë, që në fakt është një nivel i pushtetit për serbët e Kosovës, i cili nivel nuk parashihet as në Dokumentin Gjithëpërfshirës të Vjenës e as në Kushtetutën e Kosovës. Serbia, përmes Daçiqit po këmbëngul se: “Unë e nënshkrova marrëveshjen e Brukselit. Kurrë nuk do të nënshkruanim nëse gjëja kryesore në të nuk do të ishte Asociacioni”.

Qeveria e Kosovës dhe Brukseli zyrtar, konsideroj se është koha që Daçiqit e daçiqëve të tjerë, duhet t’ua bëjnë të ditur se: Si në Dokumentin e Ahtisarit, ashtu edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe në jetën institucionale ekziston një Statut i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe se serbët nuk kanë nevojë që të kenë asociacion tjetër. Pra, serbët, pa bisedimet e Brukselit, mund ta marrin Statusin ekzistues të komunave dhe ta formojnë asociacionin që u takon, pra ashtu sic është edhe për komunat e tjera të Kosovës. Ndërsa, vet kërkesa për t’u biseduar Asociacioni në Bisedimet e Brukselit do të thotë se fjala nuk është për Asociacion, por për diçka më shumë. Dhe ajo diçka më shumë nuk mund të behët pa ndryshimet kushtetuese. Dhe procedurat sesi ndryshohet kushtetuta janë të njohura. Madje edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka thënë fjalën e sajë.

Pra për të gjithë, në Kosovë e në Bruksel duhet ta dinë se nuk është fjala për Asociacion të komunave me shumicë serbe, por për një Republika Serpska në Kosovë, të ngjashme me atë të B e H.

Kushdo që ta injoron ketë, merr përgjegjësi të madhe mbi vete! Pasi këtu nuk po kërkohen të drejtat që u takojnë qytetarëve serbë të Kosovës me dokumentet e përmendura, por po kërkohet minim i rrezikshëm në Republikën e Kosovës. Minim që rrezikon funksionimin e shtetit dhe të ardhmen e tij dhe të gjithë qytetarëve pa dallim!

Prandaj, kujdes se çka po bisedoni dhe me kë po bisedoni.