Prej 16 vitesh posta në Britaninë e Madhe ka akuzuar punëtorët për vjedhje parash, doli se ‘fajin’ e kishte sistemi kompjuterik – Telegrafi

0
57

Policia në Britaninë e Madhe ka nisur hetimet për mashtrim në postën e atjeshme, pasi e njëjta postë akuzoi më shumë se 700 punonjës të saj për vjedhje, ku në fund u konstatua se kishte një gabim në sistemin kompjuterik.

Policia metropolitane ka marrë në pyetje dy persona për skandalin që çoi në dënimin e gabuar të 700 punonjësve të postës, transmeton Telegrafi.

Policët “po hetojnë shkeljet e mundshme të mashtrimit që rrjedhin nga këto ndjekje penale”, për shembull, “paratë e marra nga administruesit e besuar si rezultat i ndjekjeve penale ose proceseve civile”, u tha në një deklaratë zyrtare mbrëmë.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse hetimi ka të bëjë me anëtarë të stafit l apo me postën si korporatë.

Ndërmjet viteve 1999 dhe 2015, më shumë se 700 menaxherë të degëve të postës u dënuan gabimisht pasi një softuer llogaritës Horizon bëri të dukej sikur paratë mungonin në degët e tyre.

Shumë prej tyre kanë falimentuar pasi janë detyruar të paguajnë shuma të mëdha parash në kompani, ndërsa disa janë dënuar dhe dërguar në burg. The Guardian raporton se disa punonjës janë vetëvrarë ndërkohë.

Fajtori i vërtetë ishte një sistem kontabiliteti kompjuterik me defekt i quajtur Horizon, i furnizuar nga firma teknologjike japoneze Fujitsu, i cili u instalua në zyrat postare lokale në vitin 1999.

Posta ka pretenduar prej vitesh se të dhënat nga Horizon janë të besueshme dhe ka akuzuar drejtuesit e degëve për mashtrim, kur sistemi tregonte se mungonin paratë.

Pas një fushate shumëvjeçare të udhëhequr nga punonjësit dhe avokatët e tyre, në vitin 2021 Gjykata e Apelit rrëzoi 39 dënime për atë çështje.

Në shpjegimin e vendimit, gjyqtari tha në atë kohë se zyra e postës “e dinte se kishte probleme serioze të besueshmërisë” me Horizon, dhe kishte bërë gabime të mëdha në hetimin e saj.

Nga posta bëjnë me dije se aktgjykimi tani është prishur për gjithsej 93 punëtorë. Megjithatë, shumë prej tyre ende nuk janë shfajësuar. Hetimi publik për këtë rast ka vazhduar që nga viti 2022.

Deri më tani, asnjë nga posta publike apo kompani të tjera të përfshira nuk është arrestuar dhe ndaj tyre nuk është ngritur kallëzim penal. /Telegrafi/