SHPËRNDAJE

Shkruan: Ragmi MUSTAFA *

Partia për Veprim Demokratik si njëra ndër subjektet e para politike shqiptare në Luginën e Preshevës mbetet edhe më tej si subjekti i vetëm i shtrirë në tri komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Që në fillimet e pluralizmit politik ka artikuluar zërin dhe interesat e shqiptarëve në këto komuna për të drejtat individuale dhe kolektive dhe ka organizuar shqiptarët politikisht. Organizimin si subjekt politik e ka bërë krahas organizimeve të partive si motra në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe ka marrë pjesë jo vetëm në ndërtimin e institucioneve lokale, por edhe në pothuajse të gjitha zgjedhjet e organizuara në Luginën e Preshevës.

Si njëra ndër bartëset kryesore të Referendumit 92, në organizimin e rezistencës paqësore, mbështetëse e Ushtrisë Çlirimtare në Preshevës, Medvegjë e Bujanoc si dhe organizimin dhe bashkë pjesëmarrjen në të gjitha proceset politike. Pa kompromis është angazhuar në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave individuale dhe kolektive.

Reformat dhe ndryshimi i statutit

Organizimi i saj është bazuar rreth burrave dhe grave më të mirë e më të emancipuara të këtij rajoni që me urtësi dhe maturi kanë dhënë zgjidhje programore në përpjekjet politike. E këtij organizimi në vazhdimësi i ka parapri Statuti i PVD-ës dhe Programi i saj. Fuqinë e veprimit politik e ka mbështetur në Kuvendin e Përgjithshëm nga ka buruar Këshillin Qendrore dhe Kryesia Qendrore të koordinuara nga Sekretari. Kuvendi i përgjithshëm ishte mbajtur 02.09.2014 së fundmi në Bujanoc dhe patë aprovuar Statutin me disa ndryshime. Kuvendarët e PVD-së patën vendosë që atëherë kryetari i PVD-së, kryetarët e degëve dhe funksionarëve që kandidon ky subjekt, të kufizohen në dy mandate, rritjen e delegatëve nëpër kuvendet e degëve nga 70 në 100, kurse në Kuvendin e përgjithshëm në 215 delegatë. Ndërkaq, patë vendosur për garantimin e kuotës 1/3 për gjininë më pak të përfaqësuar (gratë) dhe të rinjtë me 20% në kryesi të degëve dhe në atë të Kryesisë së përgjithshme.

Komunikimi jo i hapur shkakton dëme elektorale

Zgjedhjet nëpër Degët e saj tashmë disa here janë mbajtur, por si proces zgjedhorë brenda partiak asnjëherë nuk kanë përfunduar me zgjedhjen e Këshillit të përgjithshëm dhe Kryesisë së PVD-ës. Me gjithë të një mirëkuptimi ky proces ka mundësuar funksionim të fragmentuar për tri komunat në funksionimin si subjekt politik dhe ka pamundësuar ngritjen e një vetëdije të brendshme individuale e kolektive për të diktuar natyrën e komunikimit, që përbën esencën si nismë politike dhe mishërohet në përmbajtjen e çdo veprimi politik; Qoftë në raport me qeverisjet lokale qoftë në raport me Këshillin Kombëtar Shqiptar apo përfaqësimin në nivel republikan. Nga se mbyllja në këtë nivel edhe i ka shkaktuar dëme të theksuara elektorale. Sa herë që është hapur PVD-ë po në atë masë ka marrë edhe besimin nga elektorati.

Strukturimi vertikal dhe horizontal

Besoj fuqishëm në parimin e vendosur: që përtej politikës janë shqiptarët, është fati i përbashkët i tyre, është dinjiteti dhe liria e çdo shqiptari, është fryma për demokraci dhe barazi. Andaj PVD-ën e konsideroj si një hapësirë ku mund të gjejë fuqinë për të guxuar, për të rrezikuar, për t’u rritur e për t’u vendosur në një raport partneriteti e jo inferioriteti me politikën. Një forcë e gjallë, në lëvizje e transformim konstant, një forcë që e mishëron ambicien për një sistem vlerash e meritokracie, përmes një politike të fokusuar tek e ardhmja. E cila mundë të arrihet jo vetëm shtrirjes horizontale por edhe përmes strukturimit vertikal.

I vetëdijshëm se ky është një këndvështrim i kufizuar mbi PVD-ën dhe problemet e saj, por duhet aktualizuar përmes lirisë për të ndryshuar dhe barazisë si mundësi e barabartë për të gjithë në një komunikim të drejtpërdrejt dhe në një marrëdhënie të hapur.

Debati për reformin ose përfundimi në amshim

Për t’i dhënë formë kësaj ideje t’u përqasemi çështjeve pa paragjykime duke i’u referuar vlerave e parimeve tona; të kërkojmë zgjidhjen përmes politikash realiste, të cilat synojnë rezultatin konkret, jo amshimin në histori. Ftoj të gjithë në ndërtimin e urave të komunikimit, duke i dhënë një trajtë të larmishme organizimit tonë të brendshëm e duke e hapur institucionalisht, jo vetëm ndaj atyre që janë anëtarë, por edhe ndaj atyre që duan të bëhen anëtarë të saj, ndaj atyre me të cilët duhet të komunikojmë e prej të cilëve dëshirojmë të gjykohemi. Duke shkuar ne tek shoqëria e jo duke pritur që shoqëria të vijë tek ne.

Le t’i japim së bashku formën përfundimtare këtij organizimi që në historinë e tij ka formësuar dhe artikuluar mendimin politik me një trashëgimi të jashtëzakonshme përmes një debati të hapur, ndryshe do të përfundoj si subjekt politik si motrat në Maqedoni apo në Kosovë.

* Autori është nënkryetar i parë i PVD-së në Bujanoc. Nëntitujt janë nga redaksia e presheva.com.