SHPËRNDAJE

Është shtyrë sërish seanca e parlamentit të Kosovës për mungesë kuorumi. Lidhja demokratike e Kosovës ka kërkuar shpërbërjen e legjislaturës aktuale pasi mazhoranca nuk po arrin të mbledhë votat e duhura për asnjë votim

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, kërkoi shpërbërjen legjislaturës aktuale të kuvendit. Kërkesa e tij erdhi, pasi  deputetët nuk merrnin pjesë në votim, edhe pse ishin të pranishëm në sallë, për të votuar rekomandimet lidhur me vendimin e Qeverisë së kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave.

Avdullah Hoti, LDK: “Duhet të procedojmë me shpërbërjen e kuvendit, nëse vazhdohet kjo praktikë”, ka thënë ai. “Po shihet që koalicioni qeverisës nuk i ka numrat, prandaj këtu shihet se nuk mund të votohet asgjë tjetër”“Nëse vazhdoni me këtë praktikë nuk do të marrim në asnjë votim”.

Lidhja Demokratike e Kosovës e cila vazhdimisht paralajmëron rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, tashmë kërkon shpërbërjen e Kuvendit menjëherë pasi të ratifikohet Demarkacioni me Malin e Zi.

Hoti deklaroi se pas shtyrjes së seancës në të cilën nuk arritën të votoheshin rekomandimet e opozitës lidhur vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave të kabinetit qeverisës,  koalicioni nuk e ka shumicën për te vijuar me procesin e vendimmarrjes ne Kuvend.

Ndërkaq, për shkak të bojkotimit të seancës plenare nga partitë opozitare, seanca do të vazhdojë të mërkurën me të njëjtat pika të rendit të ditës.

Konsensusi për vazhdimin e seancës nuk është arritur as pas takimit disa minutash mes kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe shefave të Grupeve Parlamentare.