Promovohet monografia “Lahollët në rrjedhat historike” e autorit Osman Berisha – Telegrafi

0
48

Në prani të shumë familjarëve e miqve, në SHFMU ” Xhevë Krasniqi- Lladrovci” në Gllanasellë të shtunën është promovuar monografia familjare “Lahollët në rrjedhat historike”, e inxhinierit në pension, Osman Berisha.

Lahollët në rrjedhat historike është një monografi familjare kushtuar Lahollëve të Gllanasellës brezë pas brezi deri në ditët e sotme.

Në libër, autori ka përfshirë elemente të rëndësishme që i përkasin trungut familjar, prejardhjes dhe histografisë, duke skalitur ngjarje dhe figura të rëndësishme të kësaj familje të madhe.

Ndërsa autori këtë libër ua kushton trimave të familjes Lahollli të cilët u flijuan duke luftuar për lirinë e atdheut.

Redaktori i librit Bedri Tahiri, autor i mbi 80 librave të zhanreve të ndryshme, e vlerësoi lartë këtë monografi.

Ai tha se gjatë gjithë shtjellimit të lëndës, i ka qëndruar besnik realitetit, duke ruajtur atë modestinë që e ka virtyt jetësor dhe gjërat na i ka dhënë ashtu siç ishin, pa zbukurime, pa stërhollime, pa idealizime.

“Libri “Lahollët në rrjethat historike”, edhe pse është një tërësi homogjene, përveç parathënies dhe hyrjes, është konceptuar edhe në disa kapituj e nënkapituj, të cilët e plotësojnë njëri-tjetrin dhe paraqesin një mozaik të larmishëm e të harmonishëm tematik e përmbajtjesor. Autori, pasi jep disa të dhëna telegrafike, për motivin që e shtyri ta hartoi librin, për strukturën e librit, disa falënderime dhe pak shënime për Drenicën heroike, lëndën kryesore e ka shtrirë për analizë në pesë kapituj”, tha ai.

Tahiri po ashtu theksoi se autori i librit nga burime të ndryshme, kryesisht nga rrëfimet e më të moshuarve, ka zbuluar lidhjet familjare, miqësitë e Lahollëve me familje të njohura në Drenicë e përtej, që tregon qartë se ato lidhje, dje dhe sot, paraqesin bazament të fortë, mbi të cilin qëndron forca e pathyeshmërisë në përballje me pushtues të ndryshëm.

Për librin folën edhe recesentët: profesor Hamdi Thaçi – autor i mbi dyzet librave kryesisht nga historia, si dhe profesor dr. Besim Morina, autor i shumë publikimeve nga lëmia e historisë.

Biografia e inxhinierit Osman Berisha

Osman Sadri Berisha u lindë 13 janar, 1952 në Shkabë (ish Gllanasellë) të Drenasit nga prindërit Sadri Berisha dhe nëna Qamile Hoxha-Berisha.

Shkollën Fillore e kreu në Dritan (ish Dobroshevc), ndërsa Gjimnazin në Drenas.

Studioi në Universitetin e Prishtinës dhe diplomoi në Fakultetin Teknik në Seksionin e Teknologjisë dhe mori titullin Inxhinier i Diplomuar i Teknologjisë.

Karrierën profesionale e filloi në metalurgjikun e Ferronikelit. Punoi në vendin e punës drejtues i Njësisë Punuese (NjP) “Energjetika” dhe më vonë drejtues i NjP “Kontrolla e Kualitetit me Laborator”.

Kreu një varg specializimesh në disa nga republikat e ish Jugosllavisë dhe disa vende perëndimore.

Osman Berisha pati disa funksione publike si anëtarë i Këshillit të Lidhjes së Sindikatave të ish Jugosllavisë (KLS) (1982-1986).

Ishte delegat në Dhomen e Punës së Bashkuar (DhPB) të Kuvëndit të Kosovës dhe një mandat Kryetar i Dhomës së Punës së Bashkuar në Kuvendin e Kosovës, legjislaturën e tretë të sistemit të delegimit sipas Kushtetutës së vitit 1974 të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK).

Ishte Kryetar i Komunës së Drenasit dhe Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Drenasit.

Pas luftës u punësua në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në Institutin “Inkos”.

Në Institut udhëheqi Entin për Mbrojtjen e Mjedisit (EMM).

Ishte bashkëpunëtor i disa projekteve me interes për KEK-un dhe autor i më tepër se 50 studimeve dhe raporteve për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis nga lëmi të ndryshme të ekonomisë kosovare si lëmi i energjetikës, mineraleve, industrisë kimike, përpunuese, tregtare etj.

Është autor dhe koautor i disa punimeve dhe raporteve nga lëmi i mbrojtjes së mjedisit, të prezantuara në konferenca regjionale, ndërkombëtare dhe seminare shkencore.

Bashkpunoi me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësiror, pjesëmarrës në hartimin e strategjisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Republikës së Kosovës dhe autor i kapitullit “Energjetika”.

Në dhjetë vjetshin e fundit të karrierës së tij profesionale, punoi në NeëCo Ferronikeli Complex L.L.C. në Drenas, në vendin e punës: Menaxher i Departamentit “Laboratori, Kontrolla e Kualitetit dhe Mjedisi” prej nga u pensionua në vitin 2017.

Në bashkautorësi me bashkëshorten e tij Shefkije Berisha ka të botuar librin: Gjenerata e Parë e Gjimnazit “Skënderbeu” në Drenas, 1967-’68 – 1970 – ’71. Prishtinë, 2021.
Është autor i Librit “Inspektor Bruno”. Prishtinë, 2022.

Ndryshe, ky është libri i tretë me radhë i inxhinierit, Osman Berisha./Telegrafi/