SHPËRNDAJE

Nga: Agon HAMZA

Si duhet kuptuar fushata e dorëheqjeve nga Lëvizja Vetëvendosje!? Ka diçka thelbësisht karnevaleske në gjithë këtë fushatë, si për nga natyra e saj, poashtu edhe për nga efekti që ajo ka. Së pari, në aspektin taktik, duket se këto dorëheqje të një pas njëshme janë menduar t’a dëmtojnë dhe dobësojnë organizatën duke e mbajtur në media aktuale temën e “ndarjes” së saj. Dhe rrjedhimisht tentohet të krijohet përshtypja se këto dorëheqje efektivisht e dëmtuan organizatën pothuajse deri në nivelin e shpartallimit real të saj. Në anën tjetër, a nuk do të ishte politikisht, konceptualisht dhe strategjikisht më produktive sikur i gjithë ky grupi të jepte dorëheqje përnjëherësh? Rreziku i kësaj forme do të ishte e kundërta e efektit të dëshiruar: nga abstraksioni i dorëheqjeve të një-pas-njëshme, që krijojnë efektin e të shumtëve, dorëheqja e menjëhershme do t’a konkretizonte numrin edhe vizuelisht, si dorëheqje e të paktëve.

Këtu qëndron karakteri karnevalesk i kësaj performance mediatike. Karnivali është situata apo gjendja shoqërore në të cilën për një moment suspendohen rregullat, normat, etika, ku si rezultat presupozohet çlirimi ideologjik, spiritual, politik, etj. Për shembull, në karnevalin e famshëm të Rio de Janeiros, të bardhë e të zi, të pasur e të varfër, bëhen një në vallëzim, duke i abstrahuar kështu dallimet dhe kontradiktat sociale e klasore. Mirëpo, problemi i performancës karnevaleske është se ajo përfundon, dhe të zitë e të varfërit i rikthehen eksploatimit të përditshëm, ndërsa të pasurit dhe të bardhët vazhdojnë me mondanitetin e jetës. Kësisoj, rebelimi karnevalesk është impotent. Sikurse në Rio, ai rebelim dështon të ndryshojë terrenin ideologjik mbi të cilin ndërtohet vet performanca karnevaleske.

Ajo që është më interesante në dimensionin karnevalesk është cëshja e parimeve që e konstituojnë performancën e rebelimit karnevalesk. A nuk është e ngjashme edhe performanca e dorëheqjeve nga Vetëvendosja, por që për dallim nga Rio, është stilistikisht e pashije dhe konceptualisht e mërzitshme? Ngjashmëria e pjesërishme qëndron pikërisht në faktin që kur kjo shfaqje do të përfundojë, dhe (shpresoj se) Lëvizja do t’i kthehet normalitetit të saj, pra punës sistematike dhe të mundimshme të zhbërjes së aktualitetit ideologjiko-politik e ekonomik në vend, premisat ideologjike mbi të cilat është ndërtuar karnevali do të mbesin të njejta. Dorëheqjet nuk do të rezultojnë në një vizion politik, ideologjik e ekonomik të ndryshëm, e lërë më më të mirë, për formën e organizmit shoqëror të vendit.

Ajo që është interesante të analizohet është arsyeja e inskenimit të kësaj performance. Arsyetimi është disi kështu: Vetëvendosje dhe z.Kurti paskan devijuar nga parimet fillestare, konstituive të organizatës. Vetëvendosje dhe z.Kurti qenkan bërë në të njejtën kohë edhe ultra-majtist edhe ultra-djathtist, qenka bërë edhe liberal edhe Bolshevik, edhe Islamist edhe Islamofob. Absurditetet e tilla, në rastin më të mirë mund ta provokojnë një buzëqeshje cinike. Kontradiktat e tilla nuk mund t’i pajtonte as forma më e lartë e mendimit dhe dialektikës spekulative!

Kontradiktat
Mirëpo, cili do të ishte rezultati i një procesi naiv të të menduarit, i cili do t’i trajtonte akuzat kundër z.Kurti në seriozitetin e tyre të plotë? Ata thonë se z.Kurti është autoritar, por pa pasur pushtet e funksione. Duke qenë se është autoritar, atëherë atij duhet pamundësuar kandidimi për kryetar të partisë, me kusht që mos ta realizojë materialisht natyrën e tij autoritare.

Është goxha simptomatik fakti që pas leximit të vëmendshëm të letrave të dorëheqjes, nuk arrihen të kuptohen arsyet politike të këtyre largimeve nga organizata. Nuk ka një platformë, nuk ka një ide, nuk ka parime dhe orientim politiko-ideologjik që i jep kuptim politik idesë së shkëputjes. Kjo shkëputje nuk është ndarje. Po të ishte e tillë, do të mund të flisnim për sektarizëm, i cili minimalisht presupozon një orientim bazik ideo-politik. Asnjë dorëheqje e vetme nuk arrinë të artikulojë politikisht dorëheqjen. Të gjitha arsyetimet janë të artikuluara mbi premisa morale, përvoja individuale, spekulime mbi të ardhmen që nuk erdhi kurrë, dhe disa ekskurzione pseudo-teorike, sikurse parrulla “nuk ka babë, ka ide” (pasaktësia teorike dhe absurditeti praktik i së cilës mund të provohen nga një leksion hyrës në psikoanalizë).

Shkëputja si dorëheqje, e cila nuk po del të jetë ndarje, dhe si e tillë nuk i plotëson kushtet as të të qenurit sektarizëm, nuk po del të jetë as politike. Dorëheqja do të ishte politike dhe jo prej politikës përderisa ndodhë si pasojë e pamjaftueshmërisë së Idesë (jo-aktualitetit, saturimit, vyshkjes, e tjera…). Në këtë rast, grupi i shkëputur do të rimendonte radikalisht Idenë nga pozita e singularitetit univerzal. Por, pasi nuk ka as Ide e as radikalizëm, i vetmi shpjegim racional është së këto shkëputje janë, në analizë të fundit, devijim oportunist.

Ekziston edhe një situatë tjetër në këtë problematike. Thonë se ndarja është e shmangshme nëse arritet një kompromis ndërmjet dy kampeve përbrenda Lëvizjes! Problemi, siç unë e shoh, nuk qëndron te kompromisi si i tillë, por te kompromisi si imponim. Ndërsa, imponimi është pikërisht ajo për çka (mes tjerash) po akuzohet z.Kurti.

Mbi çështjen e parimeve të dorëhequra
Një gjë tjetër (mes shumë të tjerave) mbeti e pasqaruar në këtë situatë. Cilat ishin devijimet nga parimet, dhe parimet e thyera nga z.Kurti? Emrat e të dorëhequrve dhe funksionet e tyre përkatëse brenda Lëvizjes, na dëshmojnë se nga organizata janë larguar njerëzit që kanë udhëhequr me politikat, organizimin, financat, etj të vet organizatës. Qe nga ish-kryetari, e deri të kryetari i Komunës së Prishtinës – dhe të gjithë të tjerët në mes. Në anën tjetër, z.Kurti nuk ka pasur funksion formal në Lëvizje, dhe si i tillë nuk ka pasur pushtet në organet e Lëvizjes. Pra, si është e mundur që një njeri pa pushtet, mund t’i thyej, pervertoj e ndryshojë parimet dhe vlerat e organizatës, e cilat udhëhiqej formalisht e efektivisht nga tashmë të dorëhequrit? Platforma mbi të cilën z.Kurti kandidoi për kryetar të Lëvizjes nuk duhet parë vetëm si platformë udhëheqëse, por në të njejtën kohë edhe kritikë ndaj mënyrës së udhëheqjes së organizatës përgjatë tri viteve të fundit.

Funksionet aktuale të të dorëhequrve janë ekskluzivisht rezultat i angazhimit të tyre përbrenda dhe në Lëvizjen Vetëvendosje! Prandaj, a duhet kuptuar dorëheqjet vetëm si dorëheqje nga funskionet, apo dorëheqje nga parimet konstitutive të organizatës si të tillë? Pra, dorëheqje nga çka janë këto dorëheqje? Nëse parimet qenkan arsyeja e dorëheqjes, atëherë unë mendoj se duhet dorëhequr edhe nga premisa e cila ua jep arsyen për dorëheqje. Pra, duhet dorëhequr jo vetëm nga funksionet, por edhe nga organizata. Por, kjo prapë është, në parim, e pamjaftueshme, sepse është organizata jo-parimore e cila u ka mundësuar të jenë në pozitë për t’u dorëhequr. Funksionet e deputetëve, kryetarit të komunave, asambleistëve qenkan fituar mbi premisa jo-parimore

Për fund, dy pika janë të rëndësishme. Së pari, kriza në Vetëvendosje! nuk është unike në skenën politike të Kosovës. Ajo çka është unike është përtej stërgjatja mediatike e krizës, si duket si rezultat i përkrahjes mediale të cilën të dorëhequrit e kanë. Së dyti, kriza e Vetëvendosje-s! është shansë unik për hapje dhe dhënie të mundësisë – por, hapje jo ndaj liberalëve e ngjashmëve të tjerë, por së pari ndaj figurave të shtypura përbrenda organizatës, e pastaj ndaj të tjerëve. Kriza e Vetëvendosje-s! është relativisht lehtë e rikuperueshme, sidomos pasi që ajo shpërtheu përderisa Lëvizja ende nuk e ka marrur pushtetin. Rikuperimi i shpresës, e cila është lëkundur nga efekti medial dhe jo nga dëmi real i dorëheqjeve, është i mundshëm! Tek e fundit, një agjendë progresive e majtë, e cila ka gjasa shumë reale të shndërrohet në agjendë qeverisëse, është për çdo herë e papranueshme për kapitalin e madh dhe partnerët e tij junior.