Banka Botërore publikon shifrat! Ja sa parashikohet rritja ekonomike për Shqipërinë deri në vitin 2025

0
52

Banka Botërore ka publikuar parashikimet e saj për rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Vendi ynë pritet të zgjerohet me 3.2% gjatë këtij viti, një ngadalësim i lehtë në krahasim me nivelin 3.6% që pritet gjatë këtij viti. I njëjti nivel pritet edhe në 2025-ën.

Ekonomia jonë renditet vetëm pas Kosovës në rajon për rritjen më të lartë ekonomike, ndërsa Mali i Zi është në të njëjtin nivel me ne, ndjekur më pas nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Rritja ekonomike vijon në vendin tonë edhe pse inflacioni është mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë si dhe në sfondin e një ekonomie botërore që po shkon drejt gjysmë dekadës së saj më të keqe të rritjes në 30 vjet. Rritja ekonomike botërore parashikohet të ngadalësohet edhe 2024-ën në 2.4%. Ndërkohë eurozona, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë pritet të rritet me 0.7% në kufijtë e shmangies së një recesioni. Ndërkohë, rajoni i Ballkanit Perëndimor thotë Banka Botërore pritet të mbështetet nga rritja e konsumit, fondet e sjella nga BE për projektet infrastrukturore dhe të ardhurat nga turizmi.

Luftërat dhe tensionet në rajone të ndryshme gjeopolitike botërore kanë prishur zinxhirët e furnizimit si dhe një sërë balancash të tjera makroekonomike. Amerika ekonomia më e madhe në botë, si dhe Kina në vendin e dytë pritet të ngadalësohen ndjeshëm.


Top Channel