Erdogan vlerëson agjencitë turke të inteligjencës që zbuluan ‘spiunazhin e Izraelit’

0
50

Në një konferencë shtypi në Ankara, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vlerësonte sot agjencitë zbuluese të vendit për të cilat tha se kishin “çmontuar një rrjet spiunazhi të Izraelit” dhe më pas paralajmëronte se “ky është vetëm hapi i parë.”

Ai i referohej një operacioni të javës së shkuar që nuk është bërë publik, ku sipas autoriteteve u ndaluan 34 njerëz për plane rrëmbimesh personi dhe spiunazh për llogari të Mossad-it izraelit.

“Ne e dimë se Turqia mban qëndrim të ashpër ndaj krizave rajonale, dhe veçanërisht masakrës në Gaza, që ka trazuar shumë njerëz,” tha Erdogan në sallën e mbushur me oficerë turkë të inteligjencës.

Ndërkohë konflikti brutal i Izraelit në Gaza po i afrohet ditës së 100-të.

Më herët Erdogan kishte paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse Izraeli tentonte rrëmbime personash në Turqi të militantëve të mundshëm të Hamas.

Një burim sigurie tha për rrjetin AFP se shumica e 34 të ndaluarve ishin të huaj, që sipas zyrtarëve turq, rekrutoheshin nga Mossad për operacione kundër palestinezëve ose familjarëve të militantëve.

Më herët Erdogan akuzonte kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu se ‘nuk kishte ndryshim nga lideri nazist Adolf Hitler’, me bombardimet ndaj palestinezëve në Gaza. Ndërsa izraeliti u kundërpërgjigj duke akuzuar presidentin Rexhep Tajip Erdogan se po kryen “genocid” ndaj popullit kurd në Turqi, Siri dhe Irak.