SHPËRNDAJE

Të shtunën mbrëma, mijëra tifozë të futbollit me shalle kuq e bardhë pushtuan stadiumin “Otkritie Arena” në Moskë, nën prezencën e madhe të policisë. Skuadra Spartak Moska po e luante ndeshjen e parë pas një pushimi dyjavor në mars.

Spartaku, që po lufton për titull të Premier Leagues së Rusisë në futboll, ishte nikoqir i Tosnos, një klub i vogël i futbollit nga regjioni i Leningradit, shkruan “Al Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”. Në kohën e fillimit të ndeshjes, sektori B i stadiumit, ku qëndrojnë tradicionalisht tifozët famëkeq ultras të Spartakut, ishte i heshtur.

“Kemi vendosur që pjesa e parë të jetë e qetë në kujtim të viktimave të Kemerovos”, ka thënë një tifoz në sektorin B, që nuk dha emrin e tij. Një javë më herët, një qendër tregtare ishte djegur në qytetin siberian Kemerovo, ndërsa humbën jetën 64 persona, prej tyre 40 fëmijë.

Gjatë pjesës së dytë ultrasit nisën me brohoritjet e tyre të zakonshme të përcjella nga tri daulle, por edhe atëherë ishte toni më i ulët. Tosno nuk konsiderohet si rival i madh dhe ndeshja nuk ishte një derbi dramatik, thonë tifozët. Por kishte një arsye tjetër për qetësinë relative: disa huliganë të Spartakut tash duhet të mbajnë profilin e ulët.

“Njerëzit mundohen të përmbahen tash”, ka thënë një tifoz tjetër, që nuk ka dhënë emër. “Këto ditë mund të suspendojnë për gjënë më të vogël, si shembull për pirje të duhanit në stadium”.