SHPËRNDAJE

 

Policia greke ka arrestuar disa persona, ndër ta edhe prindërit e të miturës e cila u mbyt ne pishinën e një hoteli ku punonte e ëma.

Por më pas ata janë lënë të lirë.

Ndërkohë ka nisur hetimi për pronarin e hotelit si dhe për personin që e mirëmbante pishinën. Mediat greke bëjnë me dije se hoteli nuk ishte hapur për turistët, por stafi po bënte përgatitjet për sezonin turistik.

Ndërkohë në një lidhje telefonike për emisionin e Tatiana Stefanidu, babai i vogëlushes, Danieli, është shprehur se janë të tronditur nga kjo ngjarje dhe se nuk e duan më jetën.

“Ishte vajza jonë e vetme. Atë na dha Zoti dhe na e mori prapë. Për ne nuk ka më jetë”, është shprehur ai ndërsa ka treguar se bashkëshortja e tij ndodhet në gjendje shoku.

Sipas mediave greke, thuhet se para 4 muajsh ishte ndarë nga jeta edhe tezja e vogëlushes, duke e bërë edhe më të rëndë gjendjen psikologjike të nënës së saj.

Ngjarja tragjike në një familje shqiptare ndodhi një ditë më parë në ishullin Naxos në Greqi.

Nëna e saj e kishte marrë vogëlushen me vete në hotelin ku pastronte, por teka ajo ndodhej duke hekuros në bodrum, e bija luante në ambientin e jashtëm të hotelit, ku më pas ka rënë në pishinë duke gjetur vdekjen.