Bjellorusia e fut “Current Time” në listën e organizatave ekstremiste

0
32

Në vazhdën e shtypjes ndaj mediave të pavarura dhe shoqërisë civile, autoritetet bjelloruse e kanë futur “Current Time” në regjistrin e organizatave ekstremiste.

“Current Time” është rrjet në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës. Ministria bjelloruse e Informacionit tha më 11 janar se vendimi u mor javën e kaluar nga një gjykatë në qytetin verilindor të Vistsebskut. Vendimi vlen për ueb-faqen e “Current Time”, projektet e lidhura me këtë rrjet dhe llogaritë në mediat sociale, sikurse kanali i tij në platformën Telegram.

“Current Time” transmeton informacione çdo ditë në Rusi, Ukrainë, Azi Qendrore dhe në Evropën Lindore. Në dhjetorin e vitit 2021, Ministria bjelloruse e Informacionit e njohu si organizatë ekstremiste edhe Shërbimin Bjellorus të REL-it, që në gjuhën lokale njihet si Radio Svaboda.

Sipas ligjeve bjelloruse, personat që abonohen në ueb-faqet e organizatave që zyrtarisht cilësohen si ekstremiste, mund të ndiqen penalisht dhe përballen deri me 6 vjet burgim. Autoritetet në Bjellorusi kanë shpallur qindra kanale në Telegram dhe në platforma të tjera sociale si “ekstremiste”, që kur vendi u mbërthye nga protestat pas zgjedhjeve presidenciale të gushtit të vitit 2020, të cilat i dhanë mandatin e gjashtë me radhë liderit autoritar, Alyaksandr Lukashenka.

Në përgjigje të protestave, Qeveria ka shtypur ashpër lëvizjet pro-demokracisë, ka arrestuar mijëra perosna dhe ka detyruar figurat kryesore opozitare që të largohen nga shteti. Po ashtu ka pasur raporte të besueshme se autoritetet kanë keqtrajtuar protestuesit dhe disa persona kanë vdekur. Dhjetëra web-faqe të agjencive të lajmeve janë mbyllur në Bjellorusi.

Lukashenka, i cili udhëheq me shtetin që nga viti 1994, ka mohuar se në zgjedhjet presidenciale ka pasur mashtrime dhe ka refuzuar që të negociojë me opozitën – e cila ka pretenduar fitoren në zgjedhje – për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Perëndimi refuzon ta njohë Lukashenkan si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Qeverisë dhe zyrtarëve të tjerë duke i akuzuar se kanë ndihmuar dhe kanë përfituar nga shtypja e disidencës.


Top Channel