Musk ka shkarkuar 80 për qind të inxhinierëve të sigurisë së Twitterit – Telegrafi

0
284

Elon Musk ka shkarkuar 80 për qind të inxhinierëve të sigurisë pasi bleu Twitter dhe e riemëroi X, ndërsa kompania pushoi gjithashtu një të tretën e ekipit të saj të sigurisë jo-inxhinierike, sipas një raporti të publikuar dje nga eSafety, rregullatori i sigurisë në internet i Australisë.

Informacioni vjen pasi komisioneri përdori Aktin e Sigurisë në internet të Australisë për të kërkuar përgjigje nga X se si i mban përdoruesit të sigurt. Kompania e Elon Muskut tha se kishte 279 inxhinierë të fokusuar në sigurinë në mbarë botën përpara marrjes së kontrollit në tetor të vitit 2022. Ky numër ka rënë në 55 deri në fund të majit të vitit 2023.

Ekipi i tyre i besimit dhe sigurisë, i cili numëronte 4062 persona u reduktua në 2849, ndërsa ekipi i moderimit të përmbajtjes u përgjysmua, nga 107 në 51, edhe pse shumica e moderatorëve të X-it u kontraktuan jashtë. Kompania kishte 2613 moderatorë të angazhuar në tetor të vitit 2022 dhe ky numër ra në 2305 deri në maj të vitit 2023.

Këto shkurtime kanë pasur një ndikim, beson eSafety, dhe pretendon se përdoruesit kanë raportuar se koha e përgjigjes ndaj tweet-eve fyese është ngadalësuar me 20 për qind që nga blerja e rrjetit social prej Muskut. Përpjekjet e kompanisë për t’u marrë me mesazhe të drejtpërdrejta abuzive janë ngadalësuar me 70 për qind, sipas një agjencie qeveritare australiane.

X informoi Komisionerin se pas shpërbërjes së Këshillit të tij të Mirëbesimit dhe Sigurisë, i cili ofroi këshilla të jashtme për kompaninë, ajo nuk kishte kërkuar të formonte një organ për ta zëvendësuar atë. X gjithashtu i konfirmoi agjencisë se nuk kishte një punonjës që merrej ekskluzivisht me çështjet e sjelljes dashakeqe në mbarë botën, qoftë para ose pas marrjes së Musk.

X nuk iu përgjigj pyetjeve të Forbes në lidhje me raportin e qeverisë.

Forbes më parë raportoi se ekipi i sigurisë i Twitterit ishte reduktuar në mënyrë drastike pas marrjes së kontrollit dhe se rrjeti social vazhdoi të kishte probleme me abuzimin e fëmijëve, pavarësisht premtimeve të mëparshme të pronarit për të goditur përmbajtjen e paligjshme. Megjithatë, kjo është hera e parë që të dhënat tregojnë përmasat e shkurtimeve.

Menjëherë më pas, në dhjetor, eSafety njoftoi se po ndërmerrte veprime civile kundër X për mosdhënien e informacionit në përgjigje të një kërkese për detaje se si kompania lufton abuzimin e fëmijëve në internet.

X kishte refuzuar më parë të paguante një gjobë prej 610,500 dollarë australianë (409 mijë dollarë) për mbajtjen e informacionit në burim.

Ndryshe, gjykata mund të vendosë një gjobë maksimale prej 782 mijë dollarësh australianë (524,456 dollarë) në ditë nga koha kur X nuk respektoi ligjin, deri në mars 2023, duke e çuar potencialisht gjobën në qindra miliona dollarë. /Telegrafi/