SHPËRNDAJE

Një valle që ngre në qiell shqiptarët është vallja e mrekullueshme e Shotës. Kjo valle është njëra ndër vallet e cila luhet, por edhe këndohet jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë, Serbi, Kroaci, Turqi, Bullgari e madje edhe në Greqi, jo vetëm te arvanitasit. Nuk është e ditur se kur saktë është interpretuar për herë të parë në Shqipëri, por e dimë me siguri se në Kosovë është luajtur edhe para Luftës së Dytë Botërore.

Te hungarezët është e njohur si vallja “Çardash”, te serbët si vallja e Uzhicës, e Moravës, e Çaçakut, apo kryesisht valle me emra të qyteteve, sikur rëndom janë të përhapura vallet, kudo në Ballkan. Te turqit është e njohur si vallja e quajtur rumeli Shota, te bullgarët arnauatsko oro, e kështu me radhë.

Shota është një valle karakteristike e luajtur nga valltarët, me tërë energjinë dhe me ritëm të shpejtë, e cila zakonisht luhet nga dy valltarë, mashkull e femër, (apo edhe në më shumë çifte), është valle që përshkohet me një ritëm impresionues që zgjon peshë emocionet si nga lëvizjet e shpejta ritmike, që nuk është mjaft karakteristikë e valleve shqiptare, por në këtë valle kemi karakteristika të cilat mendojmë se kanë disa veçori, që paksa dallojnë nga vendi në vend.

Vallja e Shotës ka qenë edhe në repertorin e Orkestrës Filharmonike të Beogradit, versioni i përpunuar nga kompozitori i njohur kroat, Josip Sllavenski, pastaj Rexho Mulliqi e të tjerë.

Prania e kësaj valleje ne repertorin muzikor të popujve të Ballkanit vazhdimisht ka nxitur polemika rreth prejardhjes. Përderisa në Jugosllavinë socialiste ajo ishte konsideruar si valle 100 për qind me prejardhje shqiptare, me rastin e shkatërrimit të Jugosllavisë, filluan dhe aktualisht po vazhdojnë polemikat lidhur me origjinën dhe përkatësinë e saj.
Duke u bazuar në faqe të internetit dhe në forume të ndryshme në Serbi, veçmas në shkrimet e shkurtra, në “YouTube”, konkludojmë se shumica e shfletuesve serbë, boshnjakë e të tjerë vlerëson se vallja e “Shotës” ka origjinë shqiptare.
Nacionalistët serbë janë të ndarë në këtë drejtim; Disa mendojnë se vallja është tipike shqiptare, e cila i është kushtuar Shote Galicës, që sipas mendjes së tyre paska pas vallëzuar duke djegur fëmijët serbë në zjarr.

Në kohën e ish- Jugosllavisë socialiste shqiptarët nga aspekti i njohjes muzikore janë identifikuar me këtë valle. Në të gjitha republikat e Jugosllavisë ka qenë e përhapur kjo valle.
Nuk gjendej asnjë shoqëri kulturore muzikore e kohës (Kulturno Umetnicko Drustvo -KUD) në tërë Jugosllavinë ku të mos jetë ekzekutuar një variant i Shotës, kësaj valleje shqiptare që kishte depërtuar përtej perdeve të zeza të urrejtjes shekullore sllave kundër shqiptarëve. Asnjë valle tjetër në Jugosllavinë e kohës nuk ka pasur shtrirjen e saj.[VIDEO]