SHPËRNDAJE

Përhapja e gurit në veshka rritet me moshën, në mënyrë dramatike. Tek meshkujt shfaqet pas moshës 40-vjeçare dhe vazhdon të rritet deri në moshën 70-vjeçare. Tek femrat frekuenca e gurëve në veshka arrin maksimumin në moshën 50-vjeçare.

Gurët e veshkave mund të mos shkaktojnë dhimbje kur ndodhen në veshka. Por, nëse dalin nga veshkat dhe futen në kanalin urinar mund të shkaktojnë dhimbje tepër të forta. Simptomat e gurëve të veshkave që lëvizin janë: dhimbje të fortë shpuese në pjesën e prapme, në bark, ije, mund të shkaktojë dhe gjak në urinë. Nëse ka infeksion lidhur me traktin urinar, atëherë mund të kemi ethe dhe rritje të temperaturës në trup.

Madhësia e gurit ka rëndësi të madhe. Guri me madhësi 4mm ka 80% mundësi të shkarkohet në mënyrë spontane, ndërsa guri me madhësi 5mm ka 20% . Guri më i madh se 9-10mm shumë rrallë ndodh që të shkarkohet në mënyrë spontane, për këtë arsye kërkon të kryhet ndonjë lloj trajtimi.

Shkaku më i zakonshëm i gurit të veshkave është marrja e pamjaftueshme e lëngjeve. Rekomandohet marrja e mjaftueshme e lëngjeve në mënyrë që urina të ketë një ngjyrë të verdhë të zbehtë dhe sa më e holluar. Çdo ditë duhet të pini të paktën 8-10 gota ujë dhe të urinoni më shpesh.
Për gurët të cilët nuk shkarkohen në mënyrë spontane nga trakti urinar, përdoret mënyra tjetër e quajtur litotripsi (thyerja e gurit). Gjatë kryerjes së kësaj procedure, përdoren valët e shokut që të thyhet guri në copëza të imëta të cilat më pas do të shkarkohen në mënyrë spontane në traktin urinar.