“PS e bën betejën për zemrat dhe mendjet e njerëzve”, Veliaj: PD ka mbetur në një dritare, si te ‘Romeo dhe Zhuljeta’

0
45

Në takimin e zhvilluar me kryetarët e PS të Tiranës, drejtuesi politik i PS pë Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se beteja e ardhshme e Partisë Socialiste është për të fituar mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, e jo me kundërshtarët që u ka ngelur një dritare, si te tragjedia “Romeo dhe Zhuljeta”.

“Kush mendon se ne e kemi të fituar betejën e radhës sepse Partia Demokratike është reduktuar në një dritare të Romeo dhe Zhuljetës, e ka gabim. Ne nuk kemi betejë me ta. Ajo është një parti, e cila nisi si një shpresë e madhe në vitet ’90. Deri në vitin 2013 drejtonte Shqipërinë. Deri në vitin 2015 kishte gjithë Tiranën. Deri në 2019 kishte vetëm Bulevardin e Tiranës, që e zaptonte me çadra për protesta. Pas asaj u ngeli vetëm oborri i partisë, ku thereshin me njëri-tjetrin. Pas oborrit të partisë kanë vetëm një rrugicë në Tiranë dhe siç po duket, ajo rrugicë do reduktohet vetëm në një dritare. Pra, nëse ne mendojmë se garën e kemi me ata që humbën Shqipërinë, Tiranën, bulevardin, humbën oborrin e partisë, rrugicën dhe po kthehen në një dritare, e lëmë këtë bisedë, se quhet e ezauruar. Nuk është kjo! Beteja jonë është për mendjet dhe zemrat e njerëzve”, tha Veliaj, duke vënë në dukje se një nga vendimet më të rëndësishme të asamblesë socialiste ishte shtimi i anëtarësisë së PS.

Sipas tij, Shqipëria është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndaj i ftoi të gjithë të rinjtë e talentuar që t’i bashkohen Partisë Socialiste për të çuar deri në fund një mision të përbashkët.

“Nëse ne bashkohemi nga pasioni për punë, të tjerët bashkohen nga inati. Po t’i pyesësh, për çfarë je demokrat ti? Të ulërasësh si Romeo dhe Zhulieta poshtë dritares? Jo, thonë ata, kemi inat socialistët. Por, inati është si ajo skaldabanja e vjetër, që djeg vajguri dhe bën zhurmë, nuk prodhon energji. Pasioni është tjetër gjë, është energji e pastër dhe ka një pafundësi njerëzish me pasion. Ne duhet t’i thërrasim, t’i ftojmë e t’u themi: As ne nuk jemi marrë tërë jetën me politikë, por kjo është një familje dhe në këtë familje merren vendimet më të rëndësishme për Shqipërinë, sidomos tani që jemi në prag të hyrjes në BE, e sidomos kur mandati i katërt për PS është jetik për këtë mision, për të thyer mitin se Shqipëria nuk bëhet. Jo, Shqipëria bëhet! Një mënyrë se si Shqipëria bëhet është të bashkohesh me forcë e vetme politike, e cila sot ia ka ngritur kokën lart vendit”, u shpreh Veliaj.

Ai vuri në dukje se mentaliteti i kundërshtarëve është kë do të përzënë nga partia, ndërsa mentaliteti i Partisë Socialiste është si të zgjerohet sa më shumë. “Nëse kundërshtari që kemi përballë – nuk ka rëndësi si quhen: LSI, LRI, PD, Partia e Lirisë, Foltorja, Brava – ka mentalitetin se sit ë përzërë njerëzit, duke u reduktuar ‘kokoshi një thelë’, mentaliteti që ka sjellë Edi Rama në këtë parti, në këtë skuadër që qeveris vendin dhe qytetin tonë, është kë të afrojmë, kë të ftojmë në familje. Do të doja ta kthenim këtë muaj në një “gjueti talentesh”, për të afruar njerëz të spikatur, për t’u thënë eja në tavolinën ku merren vendimet, ku drejtohet ky vend dhe ky qytet”, përfundoi ai.


Top Channel