Kurti qëndron në QKUK, interesohet për gjendjen shëndetësore të lënduarve nga shpërthimi i bombolës së gazit – Telegrafi

0
112

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar në QKUK për të mësuar për gjendjen shëndetësore të personave që u lënduan sot në Kçiq të Mitrovicës nga shpërthimi i bombolës së gazit.

Kurti ka lavdëruar personelin e QKUK-së për ndihmë e ofruar personave që kërkuan ndihmë mjekësore nga lëndimet e pësuara.

“Për diç më shumë se një orë, mjekët dhe infermierët kujdestarë në QKUK, i shpëtuan 15 qytetarë të aksidentuar nga shpërthimi i një bombole gazi në Kçiq të Mitrovicës”, ka shkruar Kurti në Facebook, transmeton Telegrafi.

Kurti ka thënë se disa janë të lënduar lehtë, por ka edhe të lënduar rëndë me djegie të shkallës së dytë e të tretë.

“E falënderojmë personelin kujdestar për ndërhyrjen e shpejtë dhe angazhimin profesional, ndërkaq të plagosurve ju dëshirojmë shërim të shpejtë e të plotë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ishin po ashtu sonte në Klinikën e Emergjencës dhe atë të Kirurgjisë Plastike ku po vazhdojnë përpjekjet e mëdha për të mënjanuar rrezikun për jetë në një nga rastet”, ka shkruar kryeministri.

“Nuk është aksidenti i parë i këtillë, qytetarët dhe familjet duhet të kenë shumë vëmendje te blerja dhe përdorimi i sigurt i gazit, gjithnjë sipas rregullave strikte, për shtëpitë dhe lokalet e tyre. Ndërkaq inspektoriatet dhe organet tjera përkatëse të mbikëqyrin rreptë respektimin e standardeve të duhura të bombolave të gazit në treg”, ka thënë ai.

Pesëmbëdhjet persona janë lënduar të shtunën pasdite si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në një fshat të Mitrovicës.

Të gjithë të lënduar janë dërguar për shërim në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, për shkak të djegieve të pësuara nga zjarri, sipas SHSKUK-së.

Katër nga të lënduarit i janë nënshtruar operimit, njoftoi Shërbimi Spitalor.

Shpërthimi ndodhi në shtëpinë e një familjeje në fshatin Kçiq, tha kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, për mediat lokale.

“Pacientët pasi kishin marrë trajtimin fillestar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, janë sjellë në QKUK”, tha SHSKUK në një njoftim për media.

Pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshme të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit, thuhet në njoftim. /Telegrafi/