SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se vendi ynë është i përkushtuar që të përmbushë të gjitha obligimet për t’u përafruar me agjendën evropiane dhe rruga e saj e vetme është integrimi euro-atlantik.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me delegacionin e Partive Popullore Evropiane, kryesuar nga Andrey Kovatchev, Asim Ademov dhe Elmar Brok.

Haradinaj njoftoi përfaqësuesit e Parlamentit Evropian për të arriturat e vendit në fuqizimin e sundimit të ligjit, nismën për reformën në administratën publike, në avancimin e raporteve për një fqinjësi të mirë, nevojën e përmbylljes së bisedimeve me Serbinë dhe progresin e arritur në fushën ekonomike të vendit.

“Anëtarësimi i Kosovës në BE është vital për stabilitetin, sigurinë dhe progresin e vendit dhe të tërë rajonit. Mbështetja e partive popullore për Kosovën në Parlamentin Evropian është i rëndësisë së veçantë që rrugëtimi ynë të rezultoi me sukses”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian duhet t’i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në familjen evropiane. Kryeministri Haradinaj konfirmoi para delegacionit të Partive Popullore Evropiane që Kosova po përmbush agjendën e saj evropiane dhe kërkoi mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave.

Përfaqësuesit e Partive Popullore të Parlamentit Evropian përgëzuan kryeministrin e Kosovës për të arriturat e vendit në këto vite të ekzistencës si shtet dhe ofruan mbështetjen në proceset e integrimit të vendit.