Trofeu i parë për vitin 2024: Real Madridi shkatërron Barcelonën në Superkupën e Spanjës – Telegrafi

0
37

Real Madridi e ka fituar kupën e parë dhe El Clasicon e parë për vitin 2024, pasi në finalen e Superkupës së Spanjës mposhti Barcelonën me rezultat bindës 4-1.

Pas vetëm dhjetë minutash lojë, Los Blancos shënuan dy herë, dhe atë me anë të Vinicius Junior.

Sulmuesi brazilian u asistua nga Jude Bellingham (7’) te goli i parë, derisa të i dyti nga Rodrygo Goes (10’).

Robert Lewandowski riktheu Barcelonën në lojë me golin e minutës së 33-të, por që madrilenët nuk u zmbrapsën.

Vinicius kompletoi het-trikun e tij, kur shënoi nga penalltia në minutën e 39-të, nga një lojë me dorë e Ronald Araujos, që u ndëshkua edhe me karton të verdhë.

Me kaq edhe përfundoi pjesa e parë, derisa e dyta sërish u dominua nga lojtarët e Carlo Ancelottit.

Në minutën e 64-të, Rodrygo hyri në listën e realizatorëve, kur shënoi për 4-1 dhe për të vulosur fitoren e Real Madridit.

Gjërat më keq u bën për Barcelonën kur kapiteni Ronald Araujo mori edhe kartonin e dytë të verdhë në minutën e 71-të, për ta lënë skuadrën e tij me dhjetë lojtarë në fushë.

Ky është trofeu i parë i Real Madridit për vitin 2024, ndërsa janë në garë edhe për trofeun e La Ligës dhe Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/