SHPËRNDAJE

Personi i gjetur i vdekur në një hotel në Näfels (Kantoni Glarus) është po ai, i cili një ditë më parë ishte rrahur në aeroplan pasi kishte bërtitur “Allahu Akbar” (për të dy rastet ka shkruar edhe albinfo.ch)

Ngjarja ka ndodhur në natën e të premtes, rreth orës 22. Fillimisht, policia ishte alarmuar nga mysafirët e hotelit, të cilët kishin dëgjuar bërtima dhe zhurmë në njërën nga dhomat e hotelit, shkruan SDA. Policia kishte konstatuar se një burrë 30 vjeçar kishte lënduar rëndë një grua, moshatare të tij. Ajo, me lëndime në sy dhe në trup, ishte transportuar me helikopter për në Spitalin Univesritar të Cyrihut. Por, ndërkohë personi i cili dyshohet të ketë qenë shkaktar i lëndimeve të saj, kishte humbur vetëdijen dhe kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Policia konsideron se bëhet fjalë për një delikt mes partnerësh.

Personi tashmë i vdekur, një shtetas turk që jetonte në SHBA, kishte rënë në sy një ditë më parë, kur kishte udhëtuar me aeroplan nga Turqia në Zvicër (Cyrih). Ai kishte thirrur “Allahu Akbar”, thotë Policia, transmetom albinfo.ch, me ç`rast ishte sulmuar fizikisht nga pasagjerë të tjerë.

Pastaj personi në fjalë, me të zbritur nga aeroplani, ishte marrë nga policia, me ç`rast ishte alivanosur dhe ishte dërguar në spital. Ndërsa një ditë më vonë, të premten, ai së bashku me gruan e përmendur, ishte vendosur në një hotel në Näfels. Kur mysafiret e hotelit kishin shkuar të ndihmonin gruan e lënduar, dorasi i dyshuar ishte i paarmatosur.

Dëshmitarët thonë se ai linte përshtypjen se ishte nën ndokimin e drogës. Por, shkaqet e sakta të vdekjes së tijn dhe të lëndimit të partneres, pritet të kuptohen pas hetimeve të urdhëruara nga autoritetet përkatëse.