SHPËRNDAJE

Mjaftoi një paraqitje televizive për t’u mobilizuar të gjithë shqiptarët që t’i dalin në ndihmë Hamdi Aliut nga Prishtina. Një deklaratë e tij e rastësishme e dhënë për ekipin e televizionit T7, ku nën lot tha se nuk ka bukë për t’i ushqyer fëmijët, emocionoi të gjithë. Këto deklarata ish-arsimtari i gjuhës shqipe po del t’i ketë dhënë në gjendje afekti,kishte qenë i mllefosur me një dënim që përmbaruesi privat ia bëri atij duke i ndalur pagën prej 150 eurove për shkak të një borxhi. Por, familja e Hamdiut, e cila ka në pronësi një shtëpi në Rrezallë të Skënderajt dhe banesë në Prishtinë, thotë se ai nuk i kanë punët dhe aq keq. Nga ana tjetër njohësit e çështje juridike po e cilësojnë si të gabuar vendimin e përmbaruesit, i cili ia ndali tërë rrogën për një borxh ndaj shtetit.
Telefoni i Hamdi Aliut nga Prishtina që nga dje nuk po pushon. Atij po i drejtohen qindra thirrje. Të gjitha për t’i dalë në ndihmë financiare ish-arsimtarit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Ai mëngjesin e së hënës u ndal nga kamera e T7, para së cilës rrëfeu për një brengë që e kishte.

Ai tha se përmbaruesi privat ia ka ndalur të ardhurat e vetme mujore që i kishte për shkak të një borxhi. Si pasojë e kësaj,zotëri Hamdiu para kamerës deklaroi se, që nga e premtja, në mungesë të parave nuk i ka ushqyer fëmijët me bukë. Dhe, ka qenë pikërisht kjo deklaratë e cila i ka mobilizuar shumë shqiptarë brenda e jashtë Kosovës.

Që prej dje janë pranuar me dhjetëra thirrje për t’i dalë në ndihmë familjes së Hamdiut. Por, qytetarë të shumtë kanë shkuar edhe në familjen e tij duke i dhënë para, gjëra ushqimore e veshmbathje.

Ata, prononcimin e kreut të shtëpisë së tyre po e cilësojnë të ngutshëm. Express, të martën ka qëndruar në familjen Aliu. Ata kanë thënë se kryefamiljari deklaratën para mediave e ka dhënën nën efektin e emocioneve dhe nervozes së ndalesës së rrogës nga përmbaruesi.

“Nuk jemi pa bukë. Nuk i kemi kushtet edhe aq mirë, po jo ashtu qysh ka thënë. Ne i kemi gjashtë fëmijë, ata janë prekur nga deklaratat. Fëmija punojnë nga pak”, ka deklaruar gruaja e Hamdiut.