SHPËRNDAJE

Të nderuar qytetarë të komunës së Preshevës, bashkatdhetarë kudo që gjindeni!
Të nderuar besimtarë muslimanë!

Në prag të muajit të bekuar të Ramazanit, ju përcjell urimet më të përzemërta që këtë muaj t’a kaloni me shëndet dhe atmosferë sa më të mirë në familjet tuaja.

Le të jetë Ramazani muaji i ngritjes shpirtërore, që përmes kryerjes së agjërimit, t’i japim përparësi shpirtërores ndaj fizikes, monotonisë së përditshmërisë së zakonshme t’ia thyejmë ritmin, duke hyrë në një regjim të vetpërmbajtjes dhe sakrificës sublime, filluar nga braktisja e ushqimeve, për të vazhduar me vet-diciplinën, duke e edukuar trupin tonë për të qenë i aftë për angazhim më të madh, që në dalje të këtij muaji të arrijmë të sfidojmë dobësinë e vehtes sonë, të mbushur përplot energji pozitive, për të reflektuar një vit të tërë në vepra të dobijshme për vehtet tona, familjet tona dhe mbarë shoqërinë tonë.

Agjërimi ynë nuk do të ishte kuptim-plotë, po s’arritëm të kuptojmë që të varfërit në mesin e shoqërisë sonë janë pjesë e jona, andaj le të tregojmë përkujdes dhe afërsi ndaj tyre.

Le të sjellë ky muaj i shenjtë paqë, shëndet shpirtëror dhe trupor, mendime të shëndosha dhe vepra të mira dhe t’a agjëroni me shëndet dhe mirëqenie të mirë bashkërisht me të afërmit dhe fqinjët, miqtë dhe familjet tuaja, pikërisht ashtu siç i përshtatet muajit të mëshirës dhe faljes së Zotit.

Urime!