SHPËRNDAJE

Forumi rinor i Partise Demokratike me seli në Bujanoc ka mbajtur nje konference per media.

Temat që janë disktuar janë:
1. Gjendja e të rinjëve shqiptarë në Bujanoc
2. Mosfunksionimi i zyrës për të rinj
3. Dështimet në implementimin e programit të aftësimit profesional
4. Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies nga pushteti aktual
5. Shënimi i Ditës së komunës, respektivisht Ditës së Evropës
6. Pyetjet e gazetarëve

Të nderuar të rinj të komunës së Bujanocit dhe më gjërë,
E nderuara rini e Partisë Demokratike,
Të nderuar përfaqësues të mediave lokale,

Siç jeni të informuar, Partia Demokratike në vazhdën e aktiviteteve të saja, për sot ka paraparë të mbajë këtë konferencë për media, me qëllim që të shpalosë për opionin e gjërë qëndrimet dhe shqetësimet e të rinjëve të Partisë Demokratike në komunën e Bujanocit, dhe njëherit vërejtjet në udhëheqjen e politikave për të rinj nga ana e pushtetit lokal.

Fillimisht ju falemnderohem edhe mediave që po përcjellin këto mesazhe drejt publikut, e me këtë rast po ndihmojnë në zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe transparente, gjë për të cilën besoj se të gjithë po synojmë ta arrijmë.

Në takimet e vazhdueshme me të rinjtë e komunës sonë, qofshin ato formale apo joformale, e posaçërisht me të ata të Partisë Demokratike, shprehim brengën e përbashkët se të rinjtë në Bujanoc çdo ditë e më shumë po humbin shpresën për të ardhmen. Mospranimi i diplomave univerzitare të fituara nga Univerzitetet nga Republika e Kosovës po vazhdon të prijë në renditjen e problemeve të të rinjëve. Veç kësaj, mungesa e vendeve të punës po shkakton probleme shtesë në mirëqenien e të rinjëve, të cilët për arsye të këtilla çdo ditë e më shumë po adresohen drejt kurseve të gjuhës gjermane, me qëllimin e vetëm të largimit të tyre nga vendi në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian, gjegjësisht drejt Gjermanisë. Në anën tjetër, përkundër faktit se shqiptarët nga viti 2007 e këndej përfaqësohen rregullisht me deputetë në Parlamentin Republikan të Serbisë, suksesi i vetëm i tyre që mund të numërohet është votimi i secilës qeveri serbe dhe votimi i buxhetit, por në asnjë formë nuk po mund të gjendet një mënyrë për zgjidhjen e pranimit të diplomave apo lobimin tek faktori ndërkombëtar për këtë problem. Çështja e diplomave shpaloset vetëm gjatë fushatave për zgjedhje parlamentare, thuajse ky problem po na preukopon vetëm gjatë fushatave, duke mos e llogaritur si problem serioz me të cilin ballafaqohen të rinjtë shqiptarë të Luginës së Preshevës. Gjithashtu, mos interesimi për tërheqjen e investitorëve demoralizon edhe më shumë këtë shtresë vitale të shoqërisë.

Derisa flitet gjithnjë se rinia është e ardhmja e këtij vendi, të potencojmë se komuna e Bujanocit ende nuk ka aprovuar një plan aksional për të rinj, ku do të parashiheshin aktivitetet e planifikuara për të avancuar rininë e vendit. Në mungesë të saj, e kemi të qartë edhe mosfunksionimin e Zyrës për të Rinj, zyre kjo e themeluar enkas për t’u marrë me aktivitete rinore. Të ju kujtojmë se në mandatin e kaluar po kjo zyre e cila tani ka mbyllur dyert për të rinjtë, ka pasur një mori aktivitetesh që kanë pasur për qëllim identifikimin e problemeve të të rinjëve, gjetjen e zgjidhjeve për ta, organizimin e aktiviteteve për të avancuar gjendjen e tyre, si dhe aktivitete të ndryshme kulturore, artistike, sportive. Shqetësim tjetër është edhe fakti se në këtë zyrë, po edhe në vende tjera të punës ka njerëz të cilët marrin rroga, por fare nuk duken në punë, pra rrijnë në shtëpi dhe marrin pare. Apo ndoshta po e ruajnë energjinë që të shfaqen duke punuar në ditën kur do të mbahen zgjedhjet. Kësaj here, për nder të asaj që pushteti i qarrosi me paratë e qytetarëve duke ndejtur në shtëpi, në kohë të zgjedhjeve ata do të punojnë intenzivisht, kësaj rradhe pa pagesë, për t’i mbushur kutitë e votimit, si në rastin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, apo edhe në rastin më të freskët që e kemi së fundmi në zgjedhjet për bashkësi lokale në Tërnoc, ku fatkeqësisht ishin pikërisht disa të rinj që bënë skandalin, që njëherë t’i mbulojnë kamerat e sigurisë, e pastaj me lehtësi të garojnë se kush do t’i mbush kutitë e votimit më shumë.

Kujt po i shërbejnë këto veprime, dhe a duhet të përgjigjet dikush për këto veprime, që rininë më shumë po e orienton në kryerjen e veprave penale e të turpshme, se sa në punë të dobishme për vendin? Këtë përgjigje do të doja ta merrja nga ata të cilët po nxisin këto veprime dhe po legjimitojnë gjithçka që është e keqe, vetëm për të arritur qëllimet e veta.
Një tjetër shqetësim që po e përcjell rininë e Partisë Demokratike është edhe implementimi apo më mirë të themi keq implementimi i programit të aftësisë profesionale. Ju e dini, se në mandatin e udhëhequr nga Partia Demokratike, për herë të parë në Bujanoc filloi implementimi i programit të aftësimit profesional, ku për qëllim kishte aftësimin e të rinjëve, të cilët nuk kishin punuar asnjëherë më parë, dhe përgatitjen e tyre për profesionet e tyre, që në të ardhmen të kryejnë provimin shtetëror dhe të jenë të gatshëm për tregun e punës.

Edhepse, nga opozita e atëhershme u kritikua në masë të madhe ky program, me ardhjen në pushtet me nxitim kopjoi këtë program dhe filloi së implementuari. Partia Demokratike e përshëndet këtë vendim të tyre, meqë punët e mira sigurisht se duhet të kopjohen. Por, ajo që nuk pajtohemi është implementimi i saj në praktikë. Në konkursin që është shpallur nga komuna e Bujanocit, qartë shihen qëllimet e këtij konkursi, afatet për realizimin e saj, si dhe kushtet se kush ka të drejtë të aplikojë e kush jo. Nuk është gjithçka zi sa i përket kësaj çështje, por s’është edhe gjithçka e përkryer. Kemi informacione se vitin e kaluar praktikën profesionale e kanë kryer edhe njerëz të moshës mbi 60 vjeç. Shtrohet pyetja, se për çka u aftësua ky person? Për të dal në pension? A është edhe kjo pjesë e platformës RINIA VENDOS, ku pensionëstët kanë përparsi ndaj të rinjëve, apo në këtë rast, si dhe në shumë raste tjera, termet që kanë të bëjnë me rininë vlejnë vetëm për persona të caktuar?

Gjithashtu, edhe në këtë vit implementimi është edhe më i keq, ku zyrtarisht askush nuk e din se sa veta kanë filluar aftësimin profesional, kush janë ata, në cilat ndërmarrje apo institucione po ndjekin aftësimin dhe a e kanë kualfikimin e duhur. E gjitha kjo vjen si pasojë e transparencës së zbehtë nga pushteti lokal, të cilët me qëllim po i fshehin këto të dhëna, për të mos u zbuluar për manipulimet që po i bëjnë gjatë realizimit të këtij programi. Edhe përkundër mos transparencës, ne kemi arritur që në disa ndërmarrje dhe institucione të marrim informacione rreth numrit të kandidatëve të pranuar, emrat e tyre, si dhe profesionet. Është për t’u habitur se si ka mundësi që komuna konkurset që vet i shpallë nuk i respekton. A thua, a i kanë lexuar se çka shkruan në to, apo vetëm janë marrë copy paste nga mandati i kaluar? Nëse, nuk janë të njoftuar me atë që e kanë shpallur, unë do t’ia kujtoj se ky program ka për qëllim aftësimin e të rinjëve të cilët kanë kryer shkollimet e tyre të mesme, bachelor, e master, e që deri më tani nuk kanë punuar asnjëherë, e që në fund të kryerjes së praktikës t’iu mundësohet nënshtrimi për dhënien e provimit shtetëror. Gjithashtu, për të qenë aftësimi në nivelin e duhur, çdo kandidat i pranuar në ndërmarrje publike, private, apo institucion arsimor duhet të ketë mentorin e vet, i cili do të kujdeset që praktikanti vërtet po aftësohet në fushën për të cilën ka kryer shkollimin. Çdo ndërmarrje publike ka të drejtë që të pranojë praktikantë deri në 20% të numrit të përgjithshëm të punëtorëve, ose për ndërmarrjet që kanë deri në 10 punëtorë, e drejtë e tyre është që të angazhojnë së paku 2 praktikantë.

Por, cila është praktika që po zbatohet këtë vit? A e po e marrin të rinjtë tanë aftësimin adekuat, për të cilin kryen shkollën me mundime e sakrifica?

Një numër i tyre, fatkeqësisht nuk po aftësohen në profesionet e tyre, kuptohet pa fajin a tyre, por me faj të pushtetit i cili i ka caktuar kandidatët se ku duhet ta mbajnë praktikën. Është dëshpërues fakti, që të rinj të ndershëm e të shkolluar, nga ky program nuk aftësohen për profesionin e tyre, por thjesht po shfytëzohen nga pushteti duke i llogaritur si votues, e jo për qëllime të aftësimit të tyre. Ndër rastet të cilat i kemi veçuar është fakti që një inxhinier i gjeodezisë në vend se të mbajë psh praktikën në Drejtoratin për Ivestime, ku do të mund ta ushtronte profesionin e vet, ai nga pushteti është caktuar që praktikën ta mbajë në Shtëpinë e Kulturës. Cila është logjika e këtij veprimi? Si ka mundësi që Shtëpia e Kulturës e cila nuk e ka të paraparë një profil të tillë në sistematizimin e vendeve të punës të aftësojë një inxhinier? Kush është mentor i tij i cili do të përcjell punën e tij në këtë institucion? Cili do të jetë rezultati i arritur pas përfundimit të praktikës? Gjithashtu, kemi rastin kur praktikantët që mbaruan aftësimin profesional vitin e kaluar edhe këtë vit po mbajnë praktikën profesionale. Çka po ndodh tash? A nuk arriti që të aftësohet për 12 muajt e shkuar, e po duhet që ta vazhdoj atë edhe për 1 vit, apo ndoshta ka qenë më i miri prej kandidatëve të kaluar e po e shpërblejnë edhe për 1 vit tjetër? Këtu diçka nuk është në rregull.

Shkelje të kushteve të konkursit kemi edhe në Organizatën turistike dhe në Qendrën Sportive, ku numri i praktikantëve tejkalon numrin e punëtorëve të rregullt në këto organizata. Si pasojë e numrit të madh, shumica prej tyre nuk shkojnë fare në punë, përshkak se nuk ka hapësirë ku të vendosen.

Nga e gjithë kjo, shprehim shqetësimin se politika qeverisëse në komunën tonë nuk e ka hallin që këtë potencial të të rinjëve ta shfrytëzojë për së mbari, por vetëm duke i llogaritur ata si votues potencial të tyre, duke mos u interesuar nëse ata do të aftësohen apo jo, që për të ardhmen të jenë të përgatitur për punë.

Ne e kundërshtojmë një politikë të tillë, e cila nëse nuk ndalet në një të ardhme të afërt, do të instalohet në shoqërinë tonë dhe do të rrezikojë që të kalojë në normalitet të përditshëm, e që pastaj vështirë se do të ç’rrënjoset një gjë e tillë.

Nga të gjitha këto veprime të lartëpërmendura, mund ta kemi edhe më të qartë se pse komuna nuk është edhe aq transparente ndaj qytetarëve. Po të ishin këto veprime të mira sigurisht se do të bëheshin publike, por fakti që po fshihen na lë të kuptojmë se diçka nuk është në rregull. Përveç mos publikimit të vendimit për aftësimin profesional, gjithashtu kemi vërejtje edhe në fshehjen e vendimit të përfituesve në konkursin e vitit të kaluar për bujqësi. Edhepse, PD më datë 14.03.2018 zyrtarisht ka kërkuar nga komisioni për ndarjen e mejteve për bujqësi vendimin mbi ndarjen e këtyre mjeteve, edhe pas dy muajve ende nuk kemi përgjigje. Kjo përbën një shkelje të radhës, ku qytetarët e komunës së Bujanocit si kontribuesit më të mëdhenj të buxhetit të komunës, nuk e kanë idenë se ku shkojnë ato para. Përkundër faktit, që nuk kemi informacion zyrtar, nga njerëz të ndryshëm në teren kemi informatat se në këtë konkurs ka pas keqpërdorime, dhe se përveç bujqëve që punojnë tokën, subvencione kanë marr edhe persona që nuk merren fare me profesionin e bujqësisë, e në mesin e tyre përfitues ka edhe zyrtarë komunal me pozita të larta në përbërjen e këtij pushteti.
Sa i përket keqmenaxhmit të parasë publike, kemi hasur së fundmi edhe tek ndarja e mjeteve për organizatat joqeveritare, ku përveç 7-8 organizatave të cilat vërtetë e meritojnë të financohen, ngase aktivitetet e tyre mund t’i shohim përmes organizimeve të ndryshme, të tjerat që sigurisht nuk kanë as seli e as aktivitet në teren kanë përfituar mjete kinse për realizim të projekteve të tyre, projekte këto që janë vetëm copy paste nga vitet e kaluara, e që as vitin e kaluar nuk janë realizuar, e as që pritet të realizohen këtë vit. Pushteti duke u munduar që t’i kënaq të gjithë nga pak duke i ndarë para për xhepin e tyre, po dëmton disa organizata të suksesshme, të cilat për mos t’i favorizuar në këtë konferencë, nuk do t’ia përmendi emrat, por që vërtetë kanë punuar për ta ngjallur jetën rinore në vend.

Në fund, dua që me pak fjalë të kyqem edhe në festën e “9 Majit” – Ditës së komunës së Bujanocit dhe Ditës së Evropës. Këtu do të ndalem në dy pika:

Së pari, po na çudit fakti se si krerët komunal po mundohen haptazi ta mashtrojnë qytetarin e vet, duke thënë se kjo është hera e parë që komuna po organizon festën e komunës. A nuk është qesharake një deklaratë e tillë, kur të gjithë e dijnë se komuna ka organizuar edhe më herët këtë ditë. Bile, në vitin 2015, jo që është festuar me koktej siç ndodhi këtë vit, por edhe është vendosur për herë të parë flamuri i Bashkimit Evropian nga ana e kryetarit të komuës Nagip Arifi në godinën e administratës komunale, ku edhe sot valon. Poashtu, në këtë ditë u ndajtën edhe 99 kontrata pune, si dhe u bë inagurimi i sheshit të qytetit. Kjo është e vërteta rreth historisë së kremtës së ditës së komunës dhe atë nuk mund ta mohojë askush. Ndoshta kishte me qenë më mirë që pushtetarët të thonin se PVD për herë të parë po e organizon këtë festë, e jo komuna.

Dhe së dyti, pse duhen që organizatat joqeveritare të organizojnë ditën e komunës? Komuna është institucion qeveritar, e nuk është organizatë jo qeveritare, për atë arsye këto organizime i takojnë komunës. Pos kësaj, me çfarë kritere u zgjodh që pikërisht organizata që është e afërt me udhëheqës të pushtetit të organizojnë këtë ngjarje. A pati konkurs për një gjë të tillë, apo thjesht është dashur që kjo organizatë të favorizohet ndaj të tjerave, e sigurisht edhe të shpërblehet financiarisht për këtë aktivitet që komuna ka mundur ta kryejë e vetme. Kemi informatën se kjo organizatë joqeveritare që pati aktivitet sa për sy e faqe, i kushtoi komunës rreth 150.000 dinarë.

Krejt në fund, Rinia e Partisë Demokratike kërkon nga pushteti aktual, që së pari të punojë më shumë për rininë në kuptimin e plotë të fjalës, e jo vetëm për 5-6 të rinj dhe të aprovojë planin aksional për të rinj, ose nëse e ka dikund le ta publikojnë në sajtin e komunës, ta dijnë të gjithë të rinjtë për ai dokument ekziston. Pastaj, kërkojmë që mos të përsëriten gabimet në implementimin e konkurseve, dhe të jetë më transparente ndaj qytetarëve për punën e saj. Nuk ka nevojë të fshihen vendimet dhe punët e kryera, të gjithë jemi qytetarë të kësaj komune dhe kemi të drejtë të dijmë se çka po ndodh.

LIVE: Konferenca për media e kryetarit të FRPD-së Sali Salihi

Gepostet von Partia Demokratike am Samstag, 12. Mai 2018