SHPËRNDAJE

Pas emrave të Rrahim Manit, Samir Hasanit, Egzon Misinit e Gentrit Hajdarit, vjen ai i Dragan Nikolçeviqit.
Janë këta pesë çiklistët e përfaqësueses së Kosovës që do të paraqiten në garën e 75-të “Tour of Albania” që nis pas disa ditësh. Nikolçeviq është serb dhe vlerësohet të jetë serbi i parë që vesh fanellën e Kosovës.

Në fakt ai prej vitit të kaluar është pjesë e përfaqësueses së Kosovës në çiklizëm. Këtë të mërkurë e ka bërë të ditur Avni Nuha, kryetar i Federatës së Çiklizmit të Kosovës.

Për paraqitjen e një serbi për përfaqësuesen e Kosovës në garën e madhe të çiklizmit që mbahet në Shqipëri, ka shkruar të mërkurën edhe mediumi serb “telegraf.rs”, raporton KD.

“Dragan Nikolçeviq është anëtar i reprezentacionit të Kosovës. Si federatë kemi punuar dhe jemi angazhuar që ai të bëhet pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Nikolçeviq është nga Brezovica, por është anëtar i klubit nga Shtërpca, Lepenci. Ai është pajtuar që të garojë për Kosovën. Natyrisht i ka pranuar simbolet dhe të gjitha. Garon me simbole të Kosovës në rekuizita, si gjithë çiklistët e tjerë të reprezentacionit të Kosovës”, ka thënë Avni Nuha për gazetën.