Ministri gjerman mesazh për fermerët: Nuk ka më para për masa stimuluese – Telegrafi

0
48

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, u tha mijëra fermerëve të pakënaqur, të cilët po demonstrojnë kundër rritjes së taksave, se nuk ka më para për të vazhduar mbështetjen e bujqësisë, raporton Reuters.

Mijëra shoferë traktorësh dhe kamionësh kanë bllokuar rrugën që të çon në Portën e Brandenburgut të Berlinit, pas një proteste njëjavore kundër taksave më të larta për fermerët, transmeton Telegrafi.

Automjetet që kishin mbërritur nga e gjithë Gjermania, u parkuan përgjatë rrugëve gjatë natës dhe mijëra njerëz, pavarësisht të ftohtit, valëvitnin flamujt gjermanë, duke brohoritur parulla si “pa fermer nuk ka të ardhme”.

“Nuk mund t’ju premtoj më shumë ndihmë shtetërore nga buxheti federal. Por ne mund të luftojmë së bashku për ju që të gëzoni më shumë liri dhe respekt për punën që bëni”, tha Lindner duke iu drejtuar pjesëmarrësve të protestës.

Lindner vlerësoi se “paqja dhe liria në Evropë janë sërish të kërcënuara” nga lufta në Ukrainë.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të investojmë përsëri në sigurinë tonë siç bënim dikur”, tha ministri gjerman i Financave.

Protestat nisën pas vendimit të qeverisë për t’i dhënë fund subvencionit për naftën në një përpjekje për të balancuar buxhetin për vitin 2024, pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese prishi planet e shpenzimeve buxhetore.

Në të njëjtën kohë, fillimi i protestave ka vënë një presion të madh mbi koalicionin e kancelarit Olaf Scholz, pasi ai përpiqet të rregullojë rrëmujën buxhetore dhe të frenojë grupet e krahut të djathtë.

Në përpjekje për të qetësuar situatën, qeveria ka rënë dakord të mbajë në burim rimbursimet e taksave për blerjen e automjeteve bujqësore dhe heqja e subvencionit për naftën të zgjatet për disa vite.