Messi dhe Haaland kishin pikë të njëjta – pse argjentinasi u zgjodh më i miri nga FIFA? – Telegrafi

0
42

Lionel Messi tashmë edhe zyrtarisht është shpallur “Lojtari më i mirë” për vitin 2023 nga FIFA në një ceremoni që u mbajt sot (e hënë) në Londër.

Në garë për të fituar këtë çmim ishin edhe Erling Haaland dhe Kylian Mbappe të cilët po ashtu kanë pasur një sezon të mrekullueshëm, e sidomos ky i pari i cili fitoi tripletën me Manchester Cityn.

Për të fituar këtë çmim si kriter FIFA i mori performancat nga data 19 dhjetor 2022 deri më datën 20 gusht 2023.

Fituesi i Kupës së Botës fitoi titullin e ligës me PSG-në para se t’i bashkohej ekipit amerikan, Inter Miami ku edhe aty arriti që të fitojë një trofe.

Sidoqoftë, ajo që mori vëmendjen ishte fakti që Messi dhe Haaland e përfunduan garën me pikë të barabarta, pra me nga 48 pikë secili.

Tani shtrohet pyetja se mbi çfarë kriteri vendosi FIFA që këtë çmim t’ia dorëzojë Messit?

Neni 12 në rregulloren e FIFA-s shpjegon qartë se si duhet të veprohet kur dy lojtarë e përfundojnë garën me pikë të barabarta.

“Në rast të një barazimi, lojtari, trajneri, ose portieri me numrin më të lartë të votave “pesë-pikësh” nga votat e grupit të tyre të votuesve, sipas nenit 10 (p.sh. për lojtarët meshkuj, votat e kapitenëve të ekipeve kombëtare të meshkujve; për trajnerët meshkuj, votat e trajnereve të ekipeve kombëtare të meshkujve; për portierët meshkuj, votat e kapitenëve të ekipeve kombëtare të meshkujve; për lojtaret femra, votat e kapitenëve të ekipeve kombëtare të femrave; për trajnerët femra, votat e trajnereve të ekipeve kombëtare të femrave; dhe për portierët femra, votat e kapitenëve të ekipeve kombëtare të femrave), do të jetë fitues i çmimit prestigjioz”, thuhet në rregulloren e FIFA-s./Telegrafi/