Financimi prej 360 mijë euro i Listës Serbe, Haradinaj-Stublla kërkon t’i ndalohen aktivitet dhe të shpallet organizatë terroriste – Telegrafi

0
37

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur ditë më parë mori vendim për ndarjen e mjeteve të fondit për mbështetjen e subjekteve politike për këtë vit.

Shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së secilit deputet nga ky fond është në vlerën e përgjithshme 4 milionë e 800 mijë euro.

Nga kjo shumë, subjektit më të madh politik në vend, Vetëvendosjes iu kanë ndarë 2 milionë e 280 mijë euro, PDK-së 760 mijë euro, LDK-së 640 mijë euro, Listës Serbe 360 mijë euro dhe AAK 320 mijë.

Lidhur me ndarjen e këtyre mjeteve, përkatësisht për Listën Serbe, ka reaguar ish-ministrja e MPJ-së, Meliza Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla në një postim në “X” ka shkruar se ky vendim është skandaloz.

Ish-ministrja më tej ka shtuar se Lista Serbe që planifikoi sulmin në Banjskë, duhet të shpallet jokushtetuese dhe organizatë terroriste.

“Vendimi për transferimin e buxhetit prej 360,000€ nga paratë e taksapaguesve ‘partisë’ Lista serbe është skandaloz! Lista serbe që planifikoi e ekzekutoi agresionin më të rrezikshëm në Ballkan që nga paslufta – duhet të shpallet jokushtetuese (dhe organizatë terroriste), t’i bllokohen fondet në Kosovë, dhe rrjedhimisht të ndërmerren të gjitha masat ligjore për ndalimin e aktivitetit në territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/