“Liberalizimi i vizave të Kosovës, hap tepër pozitiv”/ Hasani: Rajoni sot më i kërcënuar se kurrë! Qëllimi i turit rajonal…

0
35

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka zbuluar se vizita në Prishtinë pas një momenti të rëndësishëm sikurse liberalizimi i vizave nga BE vjen në kuadër të një turi rajonal për integrimin e Ballkanit Perëndimor në hapësirën euroatlantike.

Gjatë një konference të përbashkët me homologen kosovare Donika Gërvalla, Hasani mirëpriti liberalizimin e vizave, duke shtuar se ky është një vendim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për vetë Bashkimin Europian.

“Jam i lumtur që kjo vizitë vjen në një moment kaq të rëndësishëm e pozitiv për Kosovën e cila ka marrë tashmë, më në fund, liberalizimin e vizave, duke zgjeruar mundësitë dhe të drejtat e qytetarëve te saj. Ky është një vendim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për vetë Bashkimin Europian, një nxitje më tej në rrugëtimin tonë  të përbashkët drejt   BE-së.

Vizitë është në fakt pjesë e një turi në disa vende të rajonit. Pas Kosovës unë,  do të vizitoj edhe Maqedoninë e Veriut e më tej Malin e Zi. Është një tur që ka për qëllim ndarjen e ideve e mendimeve mbi punën që duhet të bëjmë të gjithë së bashku për të mirën e rajonit e për të mirën e qytetarëve tanë, për të avancuar bashkëpunimin dhe projektet e shumta mes nesh, por edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në hapësirën euroatlantike”- tha Hasani.

Sipas shefit të diplomacisë shqiptare, rajoni është duke kaluar në një moment delikat ku siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment. Hasani dënoi ashpër sulmet e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, të cilat përfunduan me vdekjen e efektivit Afrim Bunjaku.

Sipas Hasanit, vendosja e autorëve të krimit makabër para drejtësisë është një hap i domosdoshëm për të mos lejuar një përshkallëzim të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme.

Për të arritur këtu, ministri apeloi që shqiptarët të punojnë së bashku për të mirën e qytetarëve dhe të ardhmen e rajonit.

“Rajoni është duke kaluar sot një moment delikat. Jemi të gjithë dëshmitarë të faktit që pavarësisht progresit që është bërë, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Ne, kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm të orkestruar e të armatosur kundër policisë së Republikës së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar në veri të vendit. Ky sulm është një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit të Kosovës.

Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit tonë, me pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët.  Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë së shpejti. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, me pasoja ndoshta të pakthyeshme.

Prandaj tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende e ato forca që besojnë tek paqja e stabiliteti, tek bashkëpunimi e integrimi euroatlantik, të punojnë së bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tanë. Shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen tonë të përbashkët. E padyshim, Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekje si dy vende e një popull, që më shumë se kushdo tjetër, e mbështesin perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”- tha Hasani ndërsa tregoi me detaje çështjet e bisedës të diskutuara mes tij dhe ministres Gërvalla.

“Me ministren Gërvalla me miken time të shtrenjtë Donikën, patëm mundësinë të diskutojmë konkretisht e në mënyrë shumë konstruktive për këto ide dhe për mënyrën sesi duhet ta çojmë përpara agjendën tonë të përbashkët duke filluar me bashkërendimin e punës së dy Ministrive tona për:

  • Përditësimin e strategjisë për rivitalizimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës;
  • Anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare dhe integrimin e saj në NATO ku Shqipëria është dhe do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e politikës së dyerve të hapura. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga prioritetet e kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike përgjatë vitit 2024.

Përsa i përket integrimit në Bashkimin Europian, kjo është një nga pikat kryesor që Shqipëria ngre në çdo takim e ndërveprim me partnerët tanë europianë, që integrimi i plotë i rajonit në BE është një dosmosdoshmëri dhe mënyra e vetme për të garantuar njëherë e mirë paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor e rrjedhimisht të vetë Europës.

Natyrisht, ashtu siç bëjmë prej vitesh, jemi të gatshëm të ndihmojmë e mbështesim Kosovën në procesin e integrimit duke ndarë eksperiencën tonë dhe ekspertizën që kemi akumuluar ndër dekada në këtë drejtim.  

Në këtë kuadër, unë dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për ta përgëzuar publikisht lidershipin e Kosovës për takimin e Brukselit, më 26 tetor 2023, ku me shumë maturi e konstruktivitet u pranuan propozimet e BE-së. Ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara që e vë Kosovën në një pozitë shumë më të volitshme. Çdo gjë që është pranuar dhe rënë dakord duhet të zbatohet pa asnjë vonesë. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë perëndimorë që të ruajnë në këtë moment dhe të shtyjnë përpara drejt një përparimi përfundimtar.

Me Donikën diskutuam po ashtu për zbatimin e detyrimeve që lindin nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, por edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve  dhe mallrave”- tha Hasani.