SHPËRNDAJE

Trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkovic, e ka publikuar listën përfundimtare prej 23 futbollistëve për Botërorin Rusia 2018, në të cilën i ka ftuar katër futbollistë me origjinë shqiptare.
Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë ftuar që të gjithë.

Albian Ajeti, sulmuesi shqiptar që e refuzoi Kombëtaren e Shqipërisë për të luajtur për atë të Zvicrës, nuk do të jetë pjesë e Kupës së Botës Rusia 2018.

Albiani, i cili është vëllai i mbrojtësit të Kombëtare së Shqipërisë, Arlind Ajetit, i shënoi 17 gola në 32 ndeshje me fanellën e Baselit dhe u shpall golashënuesi më i mirë i Superligës zvicerane.

Albian Ajeti nuk pranoi të vishte fanellën kuqezi të Shqipërisë, ashtu si vëllai i tij, por as Zvicra nuk e thirri për turneun veror.

Siç edhe dihej tashmë e disa ditë, Admir Mehmedi nuk do të jetë pjesë e botërorit për shkak se nuk ka arritur të riaftësohet plotësisht me kohë për këtë turne madhështor.

Për Mehmedin këtu përfundon një sezon mjaft zhgënjyes. Në vjeshtë, ai e humbi vendin e titullarit në Bayer Leverkusen dhe iu bashkua Wolfsburgut në janar. Në mes të shkurtit, 27-vjeçari lëndoi ligamentet në një ndeshje kundër Bayern Munich dhe u detyrua të operohej. Ndeshja e tij e fundit në Bundesligë ishte më 10 mars.

Ai nuk ka arritur të riaftësohet plotësisht nga lëndimi i ligamenteve dhe kështu do ta humbasë Kupën e Botës.

Mehmedi ka vendosur vetë të heqë dorë nga Botërori, duke thënë: “Ishte vendim që e mora me kokë, jo me zemër. Mendoj se do ta kisha shumë të vështirë t’i ofroja skuadrës atë që e pret nga unë, veçanërisht në një Kupë Bote. Kushdo që zë vendin tim, jam i sigurt se do të përshtatet në ekip”.