SHPËRNDAJE

Në publikimin “Llogaritë Qeveritare të Kosovës, viti 2017”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bëhet e ditur se të hyrat qeveritare për tërë vitin e kaluar ishin 1.92 miliard euro, ndërsa shpenzimet 1.84 miliard.

Sipas ASK-së, pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë pagat dhe mëditjet.

“Në vitin 2017, totali i shpenzimeve të Përgjithshme të Qeverisë ishin 1,836.2 milionë euro [1.84 miliard euro]. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë pagat dhe mëditjet me pjesëmarrje prej 30 për qind, formimi i bruto kapitalit fiks me pjesëmarrje prej 25 për qind, kontributet sociale dhe përfitimet me pjesëmarrje prej 23 për qind, konsumi i ndërmjetëm me pjesëmarrje prej 10 për qind, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, thuhet në publikimin e ASK-së.

Krahasuar me vitin paraprak, të hyrat qeveritare shënuan një rritje prej 8 për qind.

“Të hyrat e Përgjithshme të Qeverisë në vitin 2017 ishin 1,921.2 milionë euro [1.92 miliard euro]. Në krahasim me vitin paraprak ishte një rritje prej 8 për qind e të hyrave. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, që paraqesin 68 për qind të totalit të të hyrave, tatimet rrjedhëse në të ardhura, pasuri, etj., që paraqesin 12 për qind, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”.