SHPËRNDAJE

Të shtunën mbrëma (9 qershor) në Manchester Arena zhvillohet dueli ndërmjet Tyson Fury dhe Sefer Seferit që është njëherësh meçi më e vështirë në karrierën e boksierit shqiptar, kur kihet parasysh se ka përballë një ish-kampion të unifikuar botëror.
Mirëpo, edhe pse është dhjetë vjet më i moshuar se kundërshtari i tij dhe ka zhvilluar vetëm një përballje në kategorinë e peshave të rënda, Seferi beson në fitoren e tij.

Gjatë konferencës për shtyp, ai ka thënë se hyrja në ring ndaj Furyt nuk është vetëm për pjesëmarrje, porse do ta kërkojë triumfin.

“Kam respekt të madh për Tysonin, është një njeri i madh dhe është një prej boksierëve më të talentuar të shekullit 21. Duket mirë, është boksier i mirë, por unë nuk kam ardhur këtu në Mançester vetëm për pjesëmarrje, kam ardhur për fitore”.

“Po, mund ta nokautoj. Kam përvojë të madhe në kategorinë e peshave të mesme, por në stërvitje kam dueluar me boksierë të kategorive të rënda, prandaj besoj se e kam fuqinë e nevojshme për të mposhtur Tyson Furyn”.

“Do ta mposht Tyson Furyn me zemrën time të luanit, jam shqiptar dhe ne kemi lindur për të luftuar. E di se e kam fuqinë për ta mposhtur. Kur ta mposht, do t’ia jap mundësinë e rimeçit”, është shprehur boksieri shqiptar.

Ndërkohë që në deklaratën e tij, Tyson Fury është shprehur se nuk po e nënvlerëson Sefer Seferin dhe beson se shqiptari është një kundërshtar i rrezikshëm.