SHPËRNDAJE

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott deklaroi sot se bisedimet e Brukselit duhet të rezultojnë me marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës dhe se përfshirja e SHBA-së në këtë proces varet nga “partnerët tjerë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai para gazetarëve tha se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të udhëheqë me dialogun.

“BE udhëheq me dialogun dhe ne jemi të kënaqur dhe mendojmë se kështu edhe duhet të mbetet”, ka thënë Scott para gazetarëve në Beograd.

I pyetur se për cilët partnerë bëhet fjalë, Scott ka thënë se në këtë proces është përfshirë i tërë komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara.

Shtypi beogradas tashmë një kohë pretendon se është e mundur përfshirja e SHBA-ve në bisedimet e Brukselit, ndërsa Serbia ka paralajmëruar se në këtë rast do të ftonte Rusinë të kyçet në bisedime.

Aktualisht bisedimet në mes Beogradit dhe Prishtinës janë ngrirë.

Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrici ka thënë se nuk ka kërkesa për ndryshimin e formatit të dialogut.

“Bisedimet zhvillohen me ndërmjetësimin e BE-së dhe nuk ka kërkesë për ndryshimin e formatit të procesit”, ka thënë Fabrici.