SHPËRNDAJE

Një azilant nga Kosova, Florim Shehu është kthyer në hero të banorëve të komunës së vogël të Changé-s, pasi shpëtoi dy familje nga përmbytjet që goditën rajonin e Mayenne-s në Francë gjatë vikendit.
Përkundër vërshimeve të mëdha, azilanti nga Kosova arriti t’i shpëtonte tre njerëzit që ishin bllokuar brenda shtëpisë së tyre dhe i kishte çuar ata në shtëpinë ku ai banonte. Apartamenti ku ai jeton prej shtatorit të vitit të kaluar me gruan dhe dy fëmijët e tij, gjendet në katet e larta të një ndërtese në fshat dhe nuk ishte i prekur nga vërshimet.

Ai shpëtoi edhe tre fqinj të tij ukrainas të ngujuar në katin e parë të ndërtesës ku ai banon. Për shkak të nivelit të lartë të ujit, Florimi nuk mund ta hapte derën e apartamentit, kështu që ai u fut nga dritaret, prej nga edhe i nxori tre vetë që ishin ngujuar në këtë banesë. Për vetëm një orë, raporton Ouest France, Florimi shpëtoi gjashtë vetë nga vërshimet. “Është heroi ynë!”,deklaroi fqinja e tij, Dominique Roger, shtëpia e së cilës ka pësuar gjithashtu shumë dëme materiale.
Florim Shehu ka aplikuar për azil në prefekturën e Mayenne-s. Ende nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët e shtetit francez, mirëpo pas këtij akti heroik, komuna është e gatshme t’i ndihmojë atij.

Kryebashkiaku i komunës së vogël të Change-s, Denis Mouchel ka thënë se do të përpiqet ta gjejë një zgjidhje për t’i ndihmuar Shehut.

“Ai preferoi t’i shpëtonte fqinjët e tij në vend të veturës së tij. Ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për të”, ka premtuar kryebashkiaku Denis Mouchel. Mediet franceze e kanë krahasuar kosovarin Florim Shehu me azilantin afrikan nga Mali, Mammadou Gassama, i cili dy javë më parë shpëtoi një fëmijë 4-vjeçar nga rënie prej një ballkoni të një ndërtese në Paris.