Pse sot është më vështirë të shkohet në Hënë sesa para 50 vjetëve? – Telegrafi

0
70

Të hënën e kaluar, pas një lëshimi të suksesshëm, raketa Vulcan Centaur u nda nga anija kozmike Peregrine, e cila ishte gati të ulej në Hënë.

Astrobotic Technology, kompania që zhvilloi Peregrinen, njoftoi më pak se 24 orë pas nisjes së suksesshme se po braktiste misionin për t’u ulur në Hënë.

Kompania tha se kishte humbje kritike të karburantit për shkak të një rrjedhjeje në fluturake.

Pas lëshimit të suksesshëm dhe ndarjes nga raketa, Peregrine nuk mund të vendosej në një pozicion përballë Diellit, ndoshta për shkak të problemeve me sistemin e shtytjes dhe nuk arriti të ngarkonte bateritë. Do të ishte misioni i parë amerikan që do të zbarkonte në Hënë që nga viti 1972, domethënë që nga epoka e misioneve Apollo, shkruan theguardian.

Pra, ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli që kur NASA dërgoi astronautët në Hënë dhe më pas i ktheu ata në shtëpi – të gjallë dhe të shëndetshëm, transmeton Telegrafi.

A nuk duhet të jetë një procedurë e thjeshtë ulja në sipërfaqen hënore sot, pas kaq shumë eksperience dhe zhvillimi teknologjik?

Më shumë misione të dështuara

Peregrine nuk është i vetmi dështim i tillë.

Edhe pse Kina dhe India kanë arritur të dërgojnë një anije kozmike në satelitin tonë natyror, Luna 25 e Rusisë u rrëzua vitin e kaluar, pothuajse 60 vjet pasi Luna 9 sovjetike u ul në Hënë.

Zbarkuesit e kompanive private kanë një shkallë dështimi 100 për qind në Hënë – zbarkuesja izraelite, Beresheet u rrëzua në vitin 2019 gjersa vitin e kaluar ajo e Japonisë.

Një nga sfidat kryesore, thotë Jan Worner, ish-drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), është pesha.

“Ekziston gjithmonë një rrezik i madh i dështimit nëse je i lehtë. Por, duhet të jesh i lehtë ose nuk ka lëshim. Nuk mund të kesh një diferencë të madhe sigurie”, tha ai.

Për më tepër, pothuajse çdo anije kozmike është një prototip. Përveç rasteve të rralla, siç janë satelitët e komunikimit Galileo, anijet kozmike janë bërë me porosi, domethënë nuk prodhohen në masë me të njëjtat sisteme dhe dizajne të provuara. Kur anije të tilla kozmike hasin në probleme në hapësirë, askush nuk mund t’i ndihmojë ata.

“Nëse keni një problem me veturën tuaj, mund ta riparoni atë, por në hapësirë nuk ka një mundësi të tillë. Hapësira është një dimension tjetër”, shpjegon Worner.

Pse Hëna është ende një destinacion i vështirë për t’u arritur?

Vetë Hëna sjell sfidat e veta. Ne kemi gravitet, por jo atmosferë. Ndryshe nga Marsi, ku anijet kozmike mund të fluturojnë drejt destinacionit të tyre dhe të ngadalësojnë zbritjen e tyre me parashuta, uljet në Hënë varen tërësisht nga motorët.

Nëse keni një motor, siç ndodh zakonisht me sondat më të vogla, ai duhet të jetë i kontrollueshëm sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të kontrolluar zbritjen.

Për t’i bërë gjërat më të komplikuara, motori duhet të ketë një mjet që mund të zvogëlojë ose rrit shtytjen.

“Zakonisht i ndizni dhe ata kanë një shtytje të vazhdueshme. Ndryshimi i shtytjes rrit kompleksitetin e procedurës”, tha Nico Dettmann, kreu i grupit të eksplorimit hënor të ESA.

Megjithatë, duke pasur parasysh se për herë të parë u ulëm me sukses në Hënë në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar është pak e vështirë të kuptohet pse Hëna është ende një destinacion i vështirë për t’u arritur.

Përgjigja mund të qëndrojë në historinë e investimeve në misionet hënore. Domethënë, menjëherë pas programit Apollo, qeveritë nuk ishin më të interesuara për investime të tilla të mëdha në programin hapësinor dhe misionet më të komplikuara “hoqën dorë” në një farë mënyre.

Ulje e vështirë dhe e lehtë në hënë

Kur anija hapësinore e Kinës, Chang’e 3 u ul në Hënë në vitin 2013, ishte ulja e parë e lehtë në satelitin tonë natyror që nga Luna 24 Sovjetike në vitin 1976. Një ulje e lehtë në Hënë, ose në çdo trup tjetër qiellor, nënkupton zbritjen e kontrolluar të një anije kozmike në sipërfaqe pa dëmtime të konsiderueshme të anijes kozmike dhe/ose instrumenteve të saj shkencore.

Një ulje e vështirë i referohet një zbritjeje në tokë që rezulton në dëme të konsiderueshme të fluturakes dhe shpesh në humbjen e kontaktit. Kjo lloj uljeje mund të jetë e qëllimshme, domethënë e planifikuar, por mund të jetë edhe një përpjekje e dështuar për një ulje të lehtë.

“Ne në fakt nuk kemi zhvilluar zbarkues për dekada dhe kjo është një teknologji mjaft e specializuar”, thotë Dettmann.

Prandaj, testimi i fluturakeve është një fazë kyçe. Por ato nuk janë aq të lehta për t’u testuar sa raketat. Mund të kontrollojmë që fuqia dhe shtytja, vëzhgimi, komunikimet, instrumentet dhe rezistenca e tyre ndaj dridhjeve intensive gjatë nisjes po funksionojnë, por nuk ka asnjë mënyrë të mirë për të simuluar një ulje në Hënë.

Krahasuar me epokën e Apollonit, ata po i bëjnë këto misione për një vlerë të vogël

Gjatë garës hapësinore, NASA shpenzoi 25 miliardë dollarë për Apollon. Përkundër kësaj, ajo përjetoi një sërë pengesash përpara se të ulej butësisht në Hënë.

Megjithëse agjencia hapësinore tani ka 70 vjet përvojë dhe njohuri të akumuluar në ndërtimin e sondave hapësinore, NASA kërkon të reduktojë kostot dhe të stimulojë industrinë hapësinore të SHBA-së duke kontraktuar kompanitë private.

“Këto kompani janë të gjitha relativisht të reja. Krahasuar me epokën Apollo, ato po i bëjnë këto misione për qindarkë”, tha inxhinieri Joshua Rasera nga Imperial College London.

“Por, strategjia duhet të shpërblehet sepse kompanitë mësojnë nga dështimet e tyre. Një sistem i tillë është akoma më i lirë kur shikohet numri i përgjithshëm i misioneve, edhe nëse rrëzohen disa”, shtoi ai. /Telegrafi/