SHPËRNDAJE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në ceremoninë e përurimit të segmentit të 3-të Bibaj-Doganaj, të autoudhës R6 “Arbën Xhaferi”, tha se investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta, por edhe efektin e kanë të madh në ekonominë e vendit.

Haradinaj tha se një parametër i rëndësishëm për investime është koha, të cilën e shkurton infrastruktura e mirë.

“Investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta dhe për buxhetin e Kosovës janë obligim i madh, por edhe efektin e kanë të madh në ekonominë e vendit”, tha Haradinaj, duke shtuar se kjo infrastrukturë e ndryshon pozicionin e ekonomisë në raport me ekonomitë fqinje dhe ato më të largëta dhe investitorët që do të mundnin të investojnë në Kosovë.

“Kjo infrastrukturë, që do ta përmbyllim edhe në autoudhë tjera të vendit, na pozicionon ne më mirë se shumë ekonomi të rajonit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se është me rëndësi që Kosova të jetë e përgjegjshme dhe të mos dështojë në asnjë obligim në përfundimin e këtyre projekteve kaq madhore.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se ky projekt e bën krenar me faktin se Kosova shumë shpejt po shndërrohet në një lider transformimi modern në infrastrukturën më të mirë në regjion.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie duke përgëzuar për një punë të shkëlqyer dhe mbresëlënëse që është bërë në këtë autoudhë, tha se populli i Kosovë meriton të ketë rrugë të mira, të cilat bëjnë të mundur zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore.

Nga ana tjetër, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se ky është segmenti i parafundit, i cili i paraprin përmbylljes së projektit gjigant, autoudhës “Arbën Xhaferi”, si shumë domethënës për ekonominë, dhe lidhjen e tij me korridoret pan evropiane.

Përurimi këtij segmenti, u bë nën moton e kampanjës “jo shpejtësisë, po sigurisë”.