Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e luftës të kryera në Kosovë – Telegrafi

0
50

Propaganda e Serbisë dhe narracioni të cilin po e ndërton për Kosovën, s’ka të ndalur.

Përmes mjeteve të informimit, Serbia vazhdimit tenton t’i mohojë krimet e kryera në Kosovë. Së fundmi, pikërisht në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, RTS-i serb ka ritransmetuar një të ashtuquajtur dokumentar për Masakrën e Reçakut, e ku shtrembërohet e vërteta dhe për më tepër mohohen krimet e kryera.

Bekim Blakaj nga Fondi Humanitar tha se zakonisht materiale të tilla propagandistike transmetohen në përvjetorë të masakrave të kryera në Kosovë.

“Një raport i tillë i medieve në serbi, por edhe përfaqësuesve politik ndaj viktimave që janë shkaktuar nga forcat ushtarake  edhe paramilitare në Kosovë, ka pasur edhe gjykime , të pakta por dënuese edhe në Serbi, pavarësisht këtyre aktgjykimeve dënuese ndaj këtyre që kanë kryer krime ende ekziston tendenca që përmes propagandës të mohohet apo shtrembërohet e vërteta mbi krimet e luftës që janë kryer në Kosovë”, tha ai.

Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Saliu, tha se Serbia po bën krim të serishëm në aspektin moral, etik e njerëzor, ndërsa tendencën e mohimit të krimeve nga ana e Serbisë e quan ikje të përgjegjësisë penale, derisa thotë se mohimi i krimit publikisht është vepër penale.

“Të filloj procedura e amendamentimit, plotësimit të kodit penal në mënyrë që edhe tek ne kodin tonë penal të Repubikës së Kosovës, sikurse që është në kodin penal të Maqedonisë, Gjermanisë, të Polonisë, të parashihet si vepër penale e veçantë, mohimi apo minimizimi i krimeve të luftës”, tha ai për RTK.

Ndërsa, profesori në departamentin e gazetarisë, Alban Zeneli, tha se propaganda që Serbia vazhdon ta bëjë kundër Kosovës,  mes tjerash, ka për synim ta dezorientojë publikun serb në Kosovë dhe Serbi.

“Pas pavarësisë së Kosovës narrativat e Serbisë janë të fokusuara kryesisht drejtë mohimit të shtetit dhe drejtë mundësisë së minimit të çdo iniciative të Kosovës drejtë faktorizimit ndërkombëtar, këto janë narrativat në të cilat propaganda serbe ka lundruar dhe vazhdon të lundroj në raport me mohimin e krimeve, ata në vazhdimësi edhe luftën tonë çlirimtare e kanë quajtur terroriste”, tha ai.

Prej përfundimit të luftës, tash e 25 vjet, Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e kryera në Kosovë derisa drejtësia ende nuk është vënë për shumë masakra e krime të kryera.