MINT njofton për ndëshkimin e operatorëve kabllorë, pas adresimit në afat rekord të rreth 350 ankesave – Telegrafi

0
36

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT)  ka njoftuar për ndëshkimin e katër operatorëve kabllorë nga Komisioni i Pavarur për Media, pas ankesave të konsumatorëve për mos përmbushje të kontratave ndaj konsumatorëve.

Në njoftimin e MINT thuhet se “pas adresimit në afat rekord të afro 350 ankesave të pranuara vetëm brenda dy javëve të para të këtij muaji, nga qytetarët, në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe si rezultat i bashkëpunimit ndër-institucional efektiv dhe të shpejt, Komisioni i Pavarur për Media ka shqiptuar gjobë ndaj katër operatorëve kabllorë, për të cilët ka pasur ankesa se nuk i janë përmbajtur kushteve të kontratave me konsumatorët”.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mbetet maksimalisht e përkushtuar për të adresuar secilën ankesë, përbrenda afateve ligjore, tek institucionet përkatëse, në mënyrë që konsumatorëve t’u mbrohet e drejta e tyre e garantuar me ligj, dhe që shkelësit e ligjit, respektivisht të drejtave të konsumatorit, të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim . transmeton Telegrafi.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjegjësisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, mbeten maksimalisht të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e konsumatorit, për çka ftojnë qytetarët që ankesat t’i paraqesin duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 11000 apo përmes email adresës: konsumatori@rks-gov.net